Janë të paktën 12 foshnja mes 40 të plagosurve që u regjistruan natën e kaluar në Wisconsin të SHBA-ve, pas sulmit terrorist me autoveturë që një i çmendur kreu gjatë një parade festive ku la edhe 5 viktima.
Sipas “Daily Mail”, mes 12 fëmijëve që po lëngojnë në spital si pasojë e plagëve të marra nga goditja e autoveturës 4×4, ka edhe nga ata në gjendje të rëndë për jetën.
Ndërkohë autoritete e ligjit kanë identifikuar autorin e dyshuar të masakrës në Wisconsin.
Mediat amerikane raportojnë se bëhet fjalë për 39-vjeçarin Darrell Edward Brooks Jr, një shtetas afrikano-amerikan, tashmë përgjegjës për një listë të gjatë krimesh. Ai u lirua nga burgu dy ditë më parë pasi pagoi një garanci prej 1000 dollarësh.
Në të kaluarën ai akuzohej ndër të tjera për rezistencë ndaj arrestimit, rrahje, tentativë për mbytje dhe mbytje, shkatërrim të pronës, armëmbajtje pa leje, dhunë në familje, ngacmim seksual.
Qytetarët ishin duke shijuar një paradë të organizuar për Krishtlindjet në Waukesha, një qytet me mbi 60,000 banorë, rreth 30 kilometra larg nga Milwaukee, Wisconsin.
Ngjarja ndodhi rreth orës 17:00 me orën lokale, gjatë një parade që nis sezonin e festave dhe që është një nga ngjarjet më të mëdha në qytetin, i cili këtë vit feston 125 vjetorin e tij.
Sipas disa dëshmitarëve, fuoristrada që goditi marshimin përshpejtoi menjëherë pasi në rrugë kishte dalë banda e shkollës. Më pas, pati skena paniku, me njerëz që bërtisnin dhe iknin.
Imazhet e para që u shfaqën në rrjetet sociale, tregonin një fuoristradë të kuqe (një Ford Escape, sipas disave) duke mbërritur me shpejtësi të madhe nga fundi i paradës.
Në pamjet e tjera shihet i njëjti mjet duke ikur pasi ka thyer disa barriera. Më shumë se 40 persona u plagosën, shumica e të cilëve janë fëmijë.
Policia njoftoi në një konferencë të shkurtër se kishte sekuestruar mjetin që goditi marshimin.
/Burimi: Daily Mail/Përshtati: Priza.al/