Reshjet e dendura të shiut janë bërë shkas që disa nga rrugët e kryeqytetit të mbushen me ujë pasi me sa duket kanalizimet kanë ende probleme dhe nuk arrijnë të përballojnë një shi të vrullshëm vere.
Ndërsa rrugët e mbushura me ujë përbëjnë një vështirësi për drejtuesit e mjeteve, të cilët duhet të udhëtojnë me shpejtësi të ulët, duket se rrezikun e shtojnë akoma më shumë këto dy fëmijë, të cilët kanë vendosur të argëtohen në pellgjet e ujit të krijuara në aksin Sauk-Tiranë, disa minuta më parë.
Nga pamjet ekskluzive të siguruara nga Priza.al, dy të miturit, një vajzë dhe një djalë, shtrihen në asfalt, duke fantazuar në mendjen e tyre prej fëmije, sikur po notojnë me një pishinë me 5 yje. Të pandërgjegjshëm që po krijojnë panik tek shoferët, të cilët i bien borisë për ti larguar nga aty, duket se po shijojnë pellgun e ‘tyre’. Fëmijët nuk e kanë problem për të luajtur në shi, teksa makinat kalojnë në rrugë.
Por pyetja që na vjen natyrshëm të shtrojmë është ‘ku i kanë prindërit këto fëmijë?’. Ndërsa enden të lirë në mes të trafikut, duke vënë në rrezik jetën e tyre dhe të marrin në qafë edhe drejtuesit e mjeteve, duket se nuk ka asnjë familjar të tyre rreth e rrotull që ti largojë nga rruga.
Redaksia jonë shfrytëzon rastin për t’i bërë apel të gjithë prindërve që të jenë të vëmendshëm ndaj fëmijëve të tyre, dhe gjithashtu shoferëve që të udhëtojnë me shumë kujdes brenda kaosit të Tiranës, ku rreziqet dhe çudirat e papritura fshihen në çdo cep.
/Priza.al/