Qeveria Gjermane ka shpallur situatën e “Katastrofës natyrore” në pjesën më të madhe të landeve dhe ushtria ka dalë në rrugë duke marrë situatën në dorë.
Kanceljerja Merkel ka kërkuar mobilizimin masiv të të gjitha forcave dhe institucioneve të vendit, me qëllim që të bëhet gjithçka për zonat e goditura nga stuhia e reshjeve dhe përmbytjet.
Një përpjekje e madhe shpëtimi në shkallë të gjerë është duke u zhvilluar në Gjermani pasi reshjet më të mëdha të shiut në një shekull shkaktuan përmbytje të cilat sollën shkatërrime në një pjesë të Evropës Perëndimore, duke lënë dhjetëra të vdekur dhe shumë të tjerë të pagjetur. Shkencëtarët e klimës janë shokuar nga shkalla e përmbytjeve në Gjermani, shkruan “The Guardian”.
Pas valës vdekjeprurëse të nxehtësisë në SHBA dhe Kanada, ku temperaturat u rritën mbi 49.6C dy javë më parë, përmbytja në Evropën Qendrore ka ngritur frikën se përçarja e klimës e shkaktuar nga njerëzit po e bën motin ekstrem edhe më keq se sa parashikohej.
Rrjedhat e ujit përmbytën qytete dhe fshatra të tëra në Gjermaninë perëndimore dhe jugore, duke shkaktuar shembjen e ndërtesave dhe duke i lënë banorët të bllokuar, tha policia të enjten.
Stuhitë dhe reshjet e shiut në landet Rheineland-Pflaz dhe Nordrhein-Wesfalen kanë shkaktuar dëme të tmerrshme teksa numri i të vdekurve vazhdon të rritet. Sipas informacioneve të fundit nga autoritetet gjermane më shumë se 100 vetë gjetën vdekjen.
Skuadrat e ndihmës kanë frikë se do të ketë një rritje të mëtejshme të numrit të viktimave, sepse kërkimi i personave që kanë mbetur në rrënoja dhe i të zhdukurve nuk ka përfunduar ende. Përveç kësaj, ekziston rreziku që digat në rajon të mos i mbajnë dot sasitë e ujërave ose kërcënojnë të prishen.
Aktualisht në Rheinland-Pfalz kanë vdekur mbi 60 vetë, kurse në Nordrhein-Westfalen njoftohet për 43 vdekje.
Verifikimi i viktimave vështirësohet edhe prej faktit, sepse për shumë vetë ende nuk është e qartë nëse ata ndodhen diku me pushime, janë strehuar për shkak të situatës së rënduar tek të njohur të tyre, apo ndodhen vërtet në vështirësi.
Në shumë rajone njerëzit janë bllokuar prej ujit në shtëpitë e tyre. Në disa zona janë ndërmarrë evakuime nga ajri. Për shkak të përmbytjeve janë bllokuar rrugët në disa komuna dhe në disa qarqe autoritetet kanë shpallur gjendjen e katastrofës.
Në Belgjikë raportohet për gjashtë të vdekur. Luksemburgu dhe Holanda janë gjithashtu të prekur.
“Në disa zona nuk kemi parë kaq shumë reshje në 100 vjet”, i tha CNN Andreas Friedrich, një zëdhënës i shërbimit të motit gjerman. Ai shtoi se “në disa zona kemi parë më shumë se dyfishin e sasisë së reshjeve që kanë shkaktuar përmbytje dhe fatkeqësisht disa struktura ndërtimi janë shembur”.
Së bashku me Rheinland-Pfalz, rajonet gjermane të Nordrhein-Westfalen dhe Saarland u prekën më shumë, shtoi Friedrich.
Totali i reshjeve ekstreme u vëzhgua të mërkurën deri të enjten në mëngjes në pjesën më të madhe të Gjermanisë perëndimore dhe rajonit të Beneluksit.
Reshje totale 24-orëshe u matën mes 100 dhe 150 milimetra, të cilat përfaqësojnë më shumë se një muaj të reshjeve në këtë rajon.
Këlni regjistroi 154 milimetra reshje në vetëm 24 orë duke përfunduar të enjten në mëngjes, e cila është gati dyfishi i mesatares së saj mujore për korrikun prej 87 milimetra.
/Burimi: Daily Mail/Përshtati: Priza.al/