Forcat e udhëhequra nga Rusia kanë mbërritur në Kazakistan me kërkesë të liderit autoritar të vendit, presidentit kazak Kassym-Jomart Tokayev, që po kërkon t`i shtypë me forcë protestat e fuqishme antiqeveritare.
Ministria e Brendshme tha se 26 “kriminelë të armatosur” ishin “likuiduar”, si dhe 18 oficerë sigurie gjatë trazirave që shpërthyen si shenjë pakënaqësie ndaj rritjes së çmimit të karburantit dhe energjisë elektrike.
Një gazetar i BBC-së në qytetin më të madh Almaty, ndau një video që tregonte sesi të shtënat vazhduan edhe përgjatë natës së të enjtes.
Nga ana tjetër, presidenti i Kazakistanit tha në një fjalim televiziv të premten se, i ka autorizuar forcat e sigurisë të vendit të “qëllojnë për të vrarë pa paralajmërim”, ndërsa po kërkon t’u japë fund protestave antiqeveritare.
Presidenti Kassym-Jomart Tokayev, tha se ishte “marrëzi” të negociosh me protestuesit, të cilët ai i përshkroi si “kriminelë dhe vrasës”.
Udhëheqësi kazak tha se, trupat paqeruajtëse ruse janë vendosur përkohësisht në Kazakistan me kërkesën e tij, për të garantuar sigurinë.
Më herët, të premten, presidenti tha në një deklaratë se, rendi kushtetues kryesisht ishte rivendosur pas trazirave njëjavore në vendin e Azisë Qendrore.
“Autoritetet lokale e kanë situatën nën kontroll. Por terroristët vazhdojnë të përdorin armët dhe të dëmtojnë pronat e qytetarëve. Prandaj, veprimet kundër-terroriste duhet të vazhdojnë derisa militantët të eliminohen plotësisht”,- thuhet në deklaratën e presidentit.
Agjencia e lajmeve “Reuters” raportoi se, të shtënat me armë zjarri mund të dëgjoheshin ende të premten në mëngjes në Almaty, qyteti më i madh i vendit.
Ministria e Brendshme e Kazakistanit tha se më shumë se 3000 terroristë janë arrestuar.
Demonstratat nisën në fund të javës së kaluar, në pjesën perëndimore të vendit në shenjë proteste ndaj dyfishimit të çmimeve të karburanteve. Por, për shkak se ato janë përhapur në të gjithë vendin shumë shpejt dhe janë rritur shumë, disa vëzhgues politikë pohojnë se, ato pasqyrojnë pakënaqësi më të gjerë në vendin që ka jetuar nën autoritarizëm që nga shpallja e pavarësisë nga Bashkimi Sovjetik, në vitin 1991.
Në një video nga rrugët e Almatyt, shihen forcat e sigurisë, disa me automjete të blinduara, duke qëlluar vazhdimisht mbi një turmë protestuesish në sheshin e Republikës. Një përfaqësues i njërit prej grupeve të protestuesve tha, për “Radion Evropa e Lirë” se, shumica e njerëzve në shesh ishin të paarmatosur.
Agjencia ruse e lajmeve “Tass” tha të enjten vonë se, sheshi ishte pastruar nga protestuesit, por të shtënat sporadike vazhduan. Agjencitë “Reuters” dhe “Associated Press” raportuan gjithashtu për të shtëna sporadike.
Shtypja e dhunshme e së enjtes ndodhi një ditë pasi protestat, që filluan ditë më parë për shkak të rritjes së çmimit të karburanteve, u bënë të dhunshme dhe mijëra njerëz, disa prej tyre të armatosur me shkopinj dhe mburoja, dolën në rrugë, duke sulmuar ndërtesat qeveritare dhe duke u vënë flakën disave, përfshirë edhe rezidencën e presidentit.
Ndërsa forcat e sigurisë humbën kontrollin mbi situatën, presidenti i Kazakistanit, Tokayev, kërkoi ndërhyrjen ushtarake ruse, sipas kushteve të të ashtuquajturit “Traktat i Sigurisë Kolektive”, që ekziston midis disa vendeve ish-sovjetike.
Ndërsa trupat e udhëhequra nga Rusia filluan të vendosen në Kazakistan të enjten, Shtetet e Bashkuara paralajmëruan që të mos merrnin kontrollin e institucioneve kazake.
Në një fjalim televiziv të mërkurën, presidenti Tokayev shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe iu referua protestuesve si “banditë dhe terroristë” të organizuar mirë me mbështetje nga jashtë, dhe u zotua se do t’i trajtonte me ashpërsi.
OKB, SHBA, Britania e Madhe dhe Franca u kanë bërë thirrje të gjitha palëve që të frenohen nga dhuna, por deri tani, nuk duket të ketë paqe për vendin. Interneti nuk funksionon dhe pak informacione të pavarura mbërrijnë prej andej. Sipas të dhënave zyrtare, në pranga kanë përfunduar më shukë se 3,000 vetë ndërsa në mbarë vendin janë ngritur 70 postblloqe.
Presidenti, që fajëson për këtë situatë ata që i quan “terroristë” të trajnuar nga të huajt, por pa dhënë prova për këto pretendime, tha se operacionet do të vazhdojnë derisa “militantët të eliminohen plotësisht”.
Departamenti Amerikan i Shtetit, tha se, po monitoronte nga afër dislokimin e trupave ruse.
“Shtetet e Bashkuara dhe, sinqerisht, e gjithë bota do të vëzhgojnë për çdo shkelje të të drejtave të njeriut”,- u shpreh një zëdhënës i tij, duke shtuar se “do të jenë gjithashtu në ndjekje të çdo veprimi që mund të tregojë kapjen e institucioneve kazake”.
/Burimi: Daily Mail/Përshtati: Priza.al/