Një kalimtar i rastit që kishte shkuar për qejfin e tij në parkun e madh të Londrës, duket se ka qenë dëshmitar i një “agresioni rrugor”, nga një shofer i papërgjegjshëm, që për pak sa nuk i ka këputur këmbën një biçiklisti.
Ka qenë pikërisht videoja e realizuar nga telefoni i qytetarit, ajo që duket se do t’i bëjë “gropën” shoferit arrogant, për një vepër që jo vetëm në Britani por në të gjithë Perëndimin konsiderohet si “pirateri rruge” dhe është e barabartë me “vrasjen e mbetur në tentativë”.
Fiksimi pikërisht i këtij momenti, të automjetit, targës por dhe rastit të pastër të tentativës për shtypje me autoveturë, tashmë ka bërë xhiron e mediave të botës.
Por duket se kjo do ta çojë shoferin, me gjasë në humbjen përgjithmonë të lejes së drejtimit, në një gjobë marramendëse, në një dëmshpërblim të ethshëm për viktimën e tij, si dhe me shumë mundësi, pas hekurave të burgut për disa vite.
Kamera ka kapur pikërisht pamjet kur shoferi rrezikoi të plagosë rëndë çiklistin, teksa kaloi mbi biçikletën e tij. Çiklisti ka humbur ekuilibrin dhe ka rënë teksa është gjendur mes dy makinave.
Në vend që shoferi të priste që ai të ngrihej, ai me mjetin në të djathtë të tij ka shpejtuar dhe e ka goditur. I riu ka rrezikuar të humbasë këmbën, por mesa duket fati ka qenë në anën e tij.
Pas publikimit të videos në internet, ka pasur reagime shumë të ashpra kundrejt shoferit.
Incidenti ndodhi në një pikë të rregulluar edhe me semaforë, pranë “Victoria Embankment” në Londrën qendrore.
Policia ka nisur hetimet pas bisedimeve me shoferin e automjetit. Ndër të tjera, policia thotë se çiklisti kishte qenë pjesë e një grupi prej 30 garuesish të tjerë në kohën e përplasjes.
/Marrë nga: Daily Mail/ Përshtati: Priza.al/