Mediat më të mëdha britanike dhe ato të botës janë fokusuar këtë mëngjes në një shpërthim autobombe që ndodhi në oborrin e brendshëm të një materniteti në Liverpul të Britanisë së Madhe.
Ky është momenti kur një taksi që mbante brenda një kamikaz, shpërtheu përpara një materniteti në Liverpul. Policia po e heton rastin në fjalë, si një sulm terrorist.
Një shofer taksie është vlerësuar si heroi i ditës në Liverpul, pasi mendohet se shpëtoi jetën e shumë njerëzve.
David Perry, arriti të kyçë brenda në makinë një kamikaz të dyshuar, vetëm pak sekonda para se mjeti i tij të shpërthente përpara një spitali.
Policia britanike dyshon se bëhet fjalë për një sulm terrorist. Sipas “Daily Mail”, shpërthimi në taksinë e David Perry, ndodhi pak sekonda përpara se të mbahej heshtja në nderim të “Ditës së të Rënëve”.
Pasagjeri mashkull kishte kërkuar të shkonte përpara Kishës Anglikane të Liverpulit, ku do mbahej një përkujtimore në nderim të të rënëve me të paktën 1200 të ftuar. Për shkak të trafikut, pasagjeri kërkoi që shoferi të parkonte makinën përpara një Spitali Obstetrik në Liverpul.
Por 45-vjeçari britanik e kuptoi planin ogurzi dhe e kyçi terroristin e dyshuar në makinë, përpara se ai të shpërthente.
Nga kjo ngjarje vdiq vetëm pasagjeri kamikaz. Shoferi i taksisë mori plagë nga shpërthimi, por pa rrezik për jetën.
Lidhur me këtë ngjarje policia britanike, por edhe shërbimet e sigurisë, janë vënë në lëvizje dhe kanë arrestuar 3 persona, nën dyshimet për terrorizëm. Identitetet e tyre nuk janë bërë të ditura, por raportohet se janë të moshave 29, 26 dhe 21 vjeç.
/Burimi: Daily Mail/Përshtati: Priza.al/