Dhjetëra automjete që ishin ngarkuar në një anije nga Japonia për në Rusi, kanë mbërritur në destinacion por të ngrira.
Automjetet janë mbuluar nga akulli në një anije që mbërriti në portin e Vladivostokut. Anija “Sun Rio” ishte nisur nga Japonia dhe gjatë lundrimit u ndesh me stuhi të acartë detare, e cila hodhi mi kuvertën e saj akull dhe borë si të ishte në Polin e Veriut.
Pavarësisht parashikimeve të motit jo të favorshme për lundrim, autoritetet portuale në Japoni i dhanë “ok”-in ekuipazhit të anijes, për të lundruar drejt Rusisë.
Kapiteni i anijes nga që nuk dëshironte të paguante taksë shtesë për vonesën ose qëndrimin e tepërt në port, vendosi që të nisej duke ndërmarrë një udhëtim jo pak aventuresk.
Por ai arriti që ta çojë në destinacion ngarkesën, por në formë “frigoriferike”, edhe pse mallrat nuk ishin mish ose ushqime, por automobila.
Me të mbërritur në portin rus të Vladivostokut, dhjetëra e dhjetëra makina të markave “Honda”, “Mazda”, “Toyota”, u shkarkuan nga anija por të veshua në akull.
Por ajo çfarë përbën problem tashmë është se, në gjendjen në të cilën ndodhen është thuajse e pamundur që ato të shiten, ndaj gjithsesi kapiteni i “Sun Rio”, nuk do ti shpëtojë dot një penaliteti nga kompanitë që kanë bërë porosinë.
/Burimi: Daily Mail/Përshtati: Priza.al/