Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar mbështetjen që Ukraina të fitojë statusin e kandidatit “të menjëhershëm” për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian.
Macron ka premtuar gjithashtu se Franca do t’i dorëzojë Ukrainës gjashtë armë shtesë me rreze të gjatë veprimi Cezar, teksa luftimet kundër forcave ruse në Lindje të vendit vijojnë.
Mbështetja për Kievin erdhi gjithashtu dhe nga liderët e Gjermanisë, Italisë dhe Rumanisë, gjatë vizitës që këta të fundit patën në Kiev.
Përballë frikës së Kievit se vendosmëria perëndimore për ta ndihmuar atë mund të zbehet, vizita e Macron dhe liderëve të Gjermanisë, Italisë dhe Rumanisë pati një peshë të madhe simbolike. Tre fuqitë e Evropës Perëndimore janë përballur me kritika për vazhdimin e angazhimit me presidentin rus Vladimir Putin – dhe dështimin për t’i siguruar Ukrainës shkallën e armatimit që ajo ka thënë se është e nevojshme për të shmangur forcat ruse.
Pasi mbërritën në Kiev nën zhurmën e sirenave të sulmit ajror, udhëheqësit u drejtuan për në Irpin , një periferi e kryeqytetit ukrainas që ishte skena e luftimeve intensive në fillim të luftës dhe ku u vranë shumë civilë. Liderët evropianë dënuan shkatërrimin atje.
Ndërsa imazhet tronditëse të një shkatërrimi të tillë kanë gjetur mbështetjen perëndimore, zyrtarët në Ukrainë kanë shprehur frikën se “lodhja e luftës” mund ta gërryejë atë – veçanërisht pasi rritja e çmimeve dhe zgjedhjet e ardhshme në Shtetet e Bashkuara po shtojnë akoma më shumë shqetësimet e njerëzve.
SHBA dhe aleatët e saj evropianë i kanë dhënë Ukrainës miliarda dollarë armatime, ku Gjermania dhe SHBA njoftuan së fundmi dërgesa të reja armësh.
Armët e tilla kanë qenë çelësi i suksesit befasues të vendit në parandalimin e rusëve nga marrja e kryeqytetit, por zyrtarët në Kiev kanë thënë se do të nevojiten shumë më tepër nëse duan të dëbojnë forcat e Moskës.
Shumë në Ukrainë shpresonin se vizita e liderëve mund të shënonte një pikë kthese duke i hapur rrugën furnizimeve të reja të rëndësishme të armëve. Vizita vjen gjithashtu në një moment teksa liderët e BE-së përgatiten të marrin një vendim javën e ardhshme mbi kërkesën e Ukrainës për t’u bërë vend kandidat për anëtarësim në bllok.
Aleatët evropianë kanë dërguar gjithnjë e më shumë armë të rëndë dhe kanë shprehur mbështetjen ndaj Kievit duke vendosur sanksione të rënda ndaj Rusisë, duke shtrënguar dhe ekonomitë e vendeve të tyre.
Por ukrainasit thonë se nevojitet akoma më shumë, pasi forcat ruse po shtyjnë ofensivën e tyre në rajonin lindor të Donbasit, duke fituar terren në mënyrë të ngadashme por të qëndrueshëm.
Guvernatori Serhiy Haidai i Luhanskut, i cili është gjithashtu pjesë e Donbasit, tha se vizita nuk do të sillte përparim nëse udhëheqësit i kërkojnë Ukrainës të nënshkruajë një traktat paqeje me Rusinë që përfshin heqjen e territorit.
“Jam i sigurt se presidenti ynë, Volodymyr Zelenskyy, nuk do të bëjë lëshime dhe nuk do të tregtojë territoret tona. Nëse dikush dëshiron të ndalojë Rusinë duke i dhënë territore, Gjermania ka Bavarinë, Italia ka Toskanën, francezët mund të pranojnë Provence, për shembull”, tha ai.
“Sot do të jetë një territor, nesër një tjetër, pasnesër një tjetër,” tha ai.
Gjatë vizitës në Irpin, kancelari gjerman Olaf Scholz vërejti se zyrtarët duhet të mbajnë parasysh skenat e tmerrshme gjatë gjithë vendimeve të tyre.
“Civilët e pafajshëm janë goditur, shtëpitë janë shkatërruar; Një qytet i tërë është shkatërruar në të cilin nuk kishte fare infrastrukturë ushtarake”, tha Scholz. “Dhe kjo thotë shumë për brutalitetin e luftës agresionin rus, e cila është thjesht e gatshme për shkatërrim dhe pushtim. Ne duhet ta kemi parasysh këtë në çdo gjë që vendosim.”
Kryeministri italian Mario Draghi tha gjatë turneut në Irpin se mbështetësit e Ukrainës do të rindërtojnë “gjithçka” me ndihmën evropiane.
“Ata shkatërruan çerdhet, këndet e lojërave dhe gjithçka do të rindërtohet,” tha Draghi.
Macron, Scholz dhe Draghi, që përfaqësojnë tre ekonomitë më të mëdha në Bashkimin Evropian, udhëtuan për në Kiev së bashku me një tren special të ofruar nga autoritetet ukrainase. Ata janë kritikuar se nuk e kanë vizituar Kievin më herët. Një numër liderësh të tjerë evropianë e kanë bërë tashmë udhëtimin e gjatë tokësor për të treguar solidaritet me një komb të sulmuar, edhe në kohët kur luftimet ishin më afër kryeqytetit sesa tani.
Presidenti Klaus Iohannis i Rumanisë – i cili kufizohet me Ukrainën dhe ka qenë një destinacion kyç për refugjatët ukrainas – mbërriti me një tren të veçantë.
Pasi pa Irpin, ai shkroi në Twitter se “nuk ka fjalë për të përshkruar tragjedinë e paimagjinueshme njerëzore dhe shkatërrimin e tmerrshëm” dhe bëri thirrje që “të gjithë autorët rusë të mbahen përgjegjës nga sistemi ndërkombëtar i drejtësisë penale”.