Një 20-vjeçar shqiptar është arrestuar në Saint-Etienne në Francë pasi është kapur duke shitur heroinë. Mediat vendase bëjnë me dije se efektivët e policisë pikasën të riun teksa i shiti një dozë heroine një personi tjetër brenda në makinën e 20-vjeçarit.
Policia iu vu në ndjekje shqiptarit, të identifikuar si Fabjan Doda, dhe e arrestuan në banesën e tij. Gjatë kontrollit, policia i gjeti 11 gramë heroinë të paketuar dhe gati për shitje. Ndër të tjera, atij iu gjetën dhe 770 euro cash, materiale për ambalazhimin e heroinës dhe një fletë ku mbante llogaritë e lëndës narkotike që kishte shitur.
Në dëshminë e dhënë përpara hetuesve, i riu tregon se e shiste drogën në emër të një shqiptari tjetër, që nuk ishte në Francë.