Disa apartamente janë shembur nga një shpërthim i fuqishëm në Marsejë të Francës, duke plagosur të paktën pesë persona, ndërsa autoritetet në qytetin francez thonë se deri 10 persona të tjerë mund të jenë nën rrënojat.
Në momentin e shpërthimit rreth orës 12:40 të së dielës, qindra njerëz po vraponin mes rrugëve të zonës ku ndodhi shembja.
“Duhet të jemi të përgatitur që të kemi viktima në këtë tragjedi të tmerrshme,” u tha gazetarëve kryebashkiaku i Marsejës, Benoît Payan.
Ministri i Brendshëm, Gerald Darmanin, tha se kishte nga katër deri në 10 persona të bllokuar nën rrënoja.
“Ne nuk e dimë nëse ata janë gjallë apo të vdekur,” u shpreh ai, duke shtuar se autoritetet nuk kishin zbuluar ende shkakun e “shpërthimit shumë të madh” që shkaktoi shembjen.
Pesë persona u plagosën në ndërtesat fqinje që u dëmtuan nga shembja dhe 33 u morën në kujdes nga punonjësit shëndetësorë. Ende nuk dihet numri i saktë i njerëzve që ndodheshin brenda bllokut të apartamenteve gjatë momentit të shpërthimit.