Një shtetas turk u arrestua në Francë ditën e sotme, pasi akuzohet se ka sulmuar me gërshërë një berber në komunën veriore të Roubaix. Ngjarja ka ndodhur pasditen e së dielës. Berberi mori një goditje në qafë nga turku por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas asaj që u zbulua më vonë, 47-vjeçari ka sulmuar berberin pasi ai luante muzikë kurde në sallonin e tij. Pas ngjarjes autori u arrestua me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë, ndërsa 27-vjeçari kurd u dërgua në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Sulmi erdhi vetëm dy ditë pasi një burrë 69-vjeçar hapi zjarr në një rrugë pranë një qendre kulturore kurde në Paris, duke vrarë tre kurdë. Ai më vonë ia atribuoi aktin e tij motiveve raciste dhe urrejtjes së tij ndaj të huajve.