Siç kanë paralajmëruar edhe sinoptikanët, Shqipëria do të mbetet në periferi të stuhisë që ka prekur Europën dhe ka shkaktuar bilance tragjike me Gjermaninë që është epiqendra e saj. Por “Frederik” po zhvendoset drejt Italisë dhe Ballkanit dhe siç thanë meteorologët, kjo e dielë ka nisur me rrebeshe shiu.
Gjatë mëngjesit ka rënë shi i rëmbyer për rreth 15 minuta në Lushnje. Rrebeshet nuk kanë shkaktuar asnjë dëm në njësitë administrative të bashkisë. Vetëm disa akse rrugore të brendshme janë mbushur me ujë, por këto zona janë problematike pasi prej vitesh nuk kanë sistem kullimi.
Reshjet e shiut kanë përfshirë disa qytete të ndryshme. Edhe në Tiranë janë raportuar reshje shiu gjatë orëve të para të mëngjesit të së dielës. Deri tani nuk raportohet për probleme.
Sinoptikanët parashikojnë mot kryesisht të freskët deri në datën 25, kur sërish rikthehen valët e të nxehtit afrikan, me temperaturë që do ta kalojnë 40 gradë Celcius.
Shi me vetëtima në plazh, pushuesit “braktisin” bregdetin
Reshjet e shiut dhe ulja e temperaturave, kanë bërë që bregdeti të mos frekuentohet këtë të diel.
E gjithë vija bregdetare nga Ura e Dajlanit deri në Iliria, Shkëmbi Kavajës, Golem etj., janë boshatisur plotësisht.
Në det askush nuk guxon të futet, ndërsa ata pak pushues që kishin mbërritur për të shijuar detin, janë larguar me fillimin e reshjeve.
Bizneset kanë mbyllur çadrat, në pritje të përmirësimit të kushteve atmosferike.
Qyteti pritet të shoqërohet nga një mot i paqëndrueshëm përgjatë gjithë ditës së sotme, duke e bërë bregdetin të pa frekuentueshëm.
Shi edhe në Lezhë, rëndohet trafiku
Reshjet e shiut dhe ulja e temperaturave ka bërë që pushuesit të braktisin plazhin e Shëngjinit dhe të Tales.
Në rrugët hyrëse e dalëse të qytetit të Lezhës e kryesisht në rrugët lidhëse me bregdetin, trafiku është rënduar së tepërmi, kryesisht nga pushuesit ditor që vijnë nga Kosova.
Policia është e vendosur në të gjitha kryqëzimet kryesore në gatishmëri të plotë për të normalizuar situatën.
Edhe plazhi i Velipojës është boshatisur sot nga pushuesit. Reshjet e shiut, vranësirat dhe uljet e temperaturave kanë bërë që kjo e diel korriku të mos jetë e zakonshme.
/Burimi: tvklan.al/