Kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës Fredi Beleri ka folur nga burgu për mediat greke, pas dënimit që vendosi ndaj tij GJKKO-ja.
“Çështja ndaj meje është orkestruar nga kryeministri shqiptar Edi Rama.”, tha Beleri, i cili u dënua me dy vite burg.
Duke folur për ERT-në nga burgu, Beleri tha se gjyqi ishte një farsë, aq sa ai vetë nuk e priste.
“Nuk e prisja që gjyqi të ishte një farsë e tillë, pa asnjë provë dhe nuk prisja që gjyqtarët në fund të mos përdornin as logjikën për të shmangur devijimin nga funksioni i tyre dhe për të qenë krahu i gjatë i pushtetit. Kryeministri shqiptar, me mbështetjen e ndërkombëtarëve që në fillim të këtij rasti, ka treguar qëndrimin e tij. Unë besoj se kjo është e padrejtë ndaj Shqipërisë. Greqia ushtroi aq presion sa mundi. Zoti Rama është zot i vendit të tij dhe kontrollon drejtësinë, kontrollon të gjitha institucionet. Në Shqipëri ka një demokraci hibride.”, tha ai për ERT-në.