Në përfundim të ceremonisë së ngritjes së flamurit, presidenti i Republikës Ilir Meta tha se sot ka vetëm mesazhe bashkimi dhe se flamuri është i të gjithë shqiptarëve.
Ai tha se është një frymëzim për t’u bashkuar dhe për të reflektuar në mënyrë që Shqipëria të jetë vërtetë zonjë dhe të ketë vendin që meriton prej kohësh në BE.
“Si mund të lëmë ne në heshtje festën më të rëndësishme të kombit tonë, ditën e Flamurit, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, por edhe ditën e ditëlindjes së Adem Jasharit.
Sot kemi vetëm mesazhe bashkimi kudo për të gjithë shqiptarët sepse ky është flamuri i të gjithë shqiptarëve, është flamuri i Ismail Qemalit, por është dhe flamuri i Isa Boletinit. Është një frymëzim për t’u bashkuar dhe për të reflektuar në mënyrë që Shqipëria të jetë vërtetë zonjë dhe të ketë vendin që meriton prej kohësh në BE”, tha Meta.
Presidenti është takuar dhe me qytetarët, duke ndarë urimet më të ngrohta për këtë festë.
“ Në këtë ditë të madhe të bashkimit kombëtar, pata kënaqësinë e veçantë të ndaja urimet më të ngrohta me shumë qytetarë, nga të gjitha trojet shqiptare, që kishin ardhur në Vlorën e Pavarësisë për të festuar Ditën e Flamurit”.