Administratori dhe 3 ish-aksionerët e firmës mineraleve “Noku”, janë marrë të pandehur, pasi fshehën shitjen e aksioneve të kompanisë, duke iu shmangur detyrimet ndaj organeve tatimore.
Sipas Prokurorisë të 4 të pandehurit, akuzohen për “Fshehje së të ardhurave”, pasi shitja prej 260 milion lekëve të aksioneve, nuk është deklaruar për të iu shmangur tatimeve. urdhërin për marrjen të pandehur të 4 shtetasve, e ka firmosur prokurori Bledar Valikaj.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë përfundon hetimet dhe dërgon për gjykim për veprën penale të ‘Fshehjes së të Ardhurave’ katër shtetas, administratorin dhe ish aksionerët e Shoqërisë ‘Neku’ Sh.p.k.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë ka regjistruar procedimin penal nr.8822 të vitit 2021, për veprën penale të “Fshehjes së të ardhurave”, parashikuar nga neni 180 i Kodit Penal.
Nga veprimet hetimore paraprake të kryera nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë në bashkëpunim me Sektorin e Hetimit Tatimor, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve ka rezultuar e provuar që subjekti “Neku’’ Sh.p.k. me Nipt L01405006G, me administrator shtetasin A. K., si dhe ish aksionerët e kësaj shoqërie shtetasit: Rr. D., A. H. dhe R. L., me aktivitet “Tregtia me shumicë e mineraleve metalike dhe e metaleve”, me adresë ushtrimi të aktiviteti Rruga Pazari, Terminali Bulqizë, kanë konsumuar elementët e figurës së veprës penale të “Fshehjes së të Ardhurave” të parashikuar nga neni 180 të Kodit Penal.
Objekt i hetimit janë veprimtaria e subjektit “Neku’’ Sh.p.k. si edhe kalimi i kuotave të kapitaleve të kësaj shoqërie për një shumë totale prej mbi 260 milionë lekë të reja duke mos i deklaruar dhe shmangur detyrimet ndaj organeve tatimore.
Për këtë arsye nga Prokurori Bledar Valikaj janë marrë të pandehur subjekti ekonomik dhe shtetasit e mësipërm për veprën penale të “Fshehjes së të Ardhurave” të parashikuar nga Neni 180/3 i Kodit Penal dhe çështja është dërguar për gjykim pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.