Një 25-vjeçar është shpallur në kërkim në Tiranë, pasi akuzohet për armëmbajtje pa leje.
Shtetasi me iniciale H.A., kishte fshehur në çati kallashnikov dhe municion luftarak.
I riu akuzohet për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Njoftimi i policisë:
Vijon bashkëpunimi me qytetarët, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Falë këtij bashkëpunimi, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 goditën një rast të armëmbajtjes pa leje. Sekuestrohen një armë zjarri dhe një sasi municioni luftarak, shpallet në kërkim 25-vjeçari që i kishte fshehur në çatinë e banesës së tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar në informacionet e siguruara falë bashkëpunimit me qytetarët, se në rrugën “Hamdi Cenoimeri”, një shtetas mbante armë zjarri në banesë, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë ushtruar kontroll të befasishëm në banesën e tij. Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë banesë, në pjesën e çatisë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri kallashnikov, dy krehra dhe një sasi municioni luftarak.
Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim shtetasi H. A., 25 vjeç, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.