Fundjava në Europë, si kanë shkëlqyer futbollistët kuqezi

Fundjava që sapo lamë pas ka qenë mjaft pozitive për një pjesë të madhe të legjionarëve kuqezi në Europë. Gola, paraqitje mjaft të mira e vlerësime të larta kanë marrë disa prej lojtarëve shqiptarë që luajnë në kampionatet e huaja.
Klaus Gjasula ka qenë pa diskutim lojtari i ndeshjes në sfidën që Darmstadi i tij zhvilloi kundër Karlsruher-it në shtëpi. Mesfushori shqiptar gaboi në minutën e 22-të, teksa i dhuroi një gol kundërshtarëve, por ishte vetë ai që e korigjoi gabimin duke i dhuruar skuadrës së tij golin e barazimit pak minuta pas nisjes së pjesës së dytë të lojës. Uebsajti i specializuar për statistika, “Sofascore” e ka vlerësuar me notën 7.5 futbollistin kuqezi, i cili u aktivizua që nga minuta e parë në këtë ndeshje.

Thomas Strakosha ka dhuruar një paraqitje mjaft të mirë, teksa për 90 minuta e ka mbajtur portën e tij të paprekur, në fitoren 3-0 që lacialët siguruan ndaj Sarenitanës. Portieri shqiptar u vlerësua me notën 7.1, teksa në këtë sfidë u aktivizua edhe mbrojtësi kuqezi Elseid Hysaj.
Marash Kumbulla ka zhvilluar një ndeshje të madhe mbrëmjen e djeshme ndaj Cagliari-t. Shtylla e mbrojtjes kuqezi vlerësohet si më i miri i katërshes së mbrojtjes së Romës nga “Sofascore” në notat e dhëna pas ndeshjes, teksa lojtari shqiptar ka notën më të lartë, 7.5. Kumbulla e nisi ndeshjen si titullar dhe luajti për 90 minuta të plota, duke shkëlqyer dhe duke treguar cilësitë e tij në fushën e lojës. Sakaq, edhe Berat Gjimshiti, një tjetër mbrojtës i Kombëtares shqiptare që aktivizohet me Atalantën ka bërë një lojë mjaft të mirë në ndeshjen e zhvilluar ndaj Interit. Legjionari kuqezi, i cili u aktivizua që nga minuta e parë e takimit, mori notën 7.1 nga Sofascore.

Ardian Ismajli, Nedim Bajrami e Kristjan Asllani është treshja shqiptare që luan në radhët e Empolit. Pavarësisht barazimit ndaj Venezia-s, tre kuqezinjtë kanë spikatur me paraqitjet e tyre në këtë ndeshje, duke marrë edhe nota mjaft të mira.
Edhe Keidi Bare e Armando Broja kanë luajtur këtë javë në kampionatet respektive, në La Liga e Premier League, duke e nisur që nga minuta e parë në takimet përkatëse.
Paraqitjet e mira të kuqezinjve në Europë janë një lajm mjaft i mirë edhe për Kombëtaren shqiptare, që ka në muajin mars do të zhvillojë edhe dy miqësore mjaft të rëndësishme, fillimisht ndaj Spanjës më 26 mars në transfertë e tre ditë më vonë ndaj Gjeorgjisë në Shqipëri./BW

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *