Pas takimit me kreun e Kosovës, Albin Kurtin, kryeministri i vendit, Edi Rama është ndalur në një takim me studentët e Universitetit të Prishtinës.
Aty Rama foli për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Ai tha se për të zgjidhur këto çështje që lidhen me shqiptarët, një pakicë jo e vogël në Serbi, duhet të përdoret fuqia e diplomacisë.
Ai ka thënë që serbët në Kosovë kanë të drejta dhe liri që çdokush ëndërron t’i ketë dhe se kontrasti me shqiptarët është shumë i madh
Në Serbi jetojnë shqiptarë dhe kanë nevojë për një mbështetje të dyfishtë. Një mbështetje nga jashtë, por edhe nga brenda në sensin e çuarjes përpara të temave që atyre ju interesojnë duke krijuar një raport sa më të volitshëm me shtetin ku jetojnë. Kjo është shumë e thjeshtë ta thuash dhe shumë e vështirë ta bësh por mospasja parasysh e këtij fakti nuk na ndihmon të kuptojmë se si mund të avancojmë me liritë e të drejtat e atyre që jetojnë në Luginën e Preshevës. Ne mund ta konsiderojmë apo jo, mund ta përdorim apo jo, por nga mospërdorimi i tij, vjen dhe humbja për diçka që ne mund të bëjmë për ata që jetojnë atje. E vërteta është që ne jemi në kontakt dhe kemi bërë herë pas here përpjekje lehtësuese për komunikimin mes tyre dhe në luginë ka një jetë politike jo të varfër dhe ka njerëz me vullnet, me ambicie, me dëshirë për të përmirësuar kushtet e jetës atje. Për një jam i bindur, sado që ne të ndihmojmë së jashtmi, është e rëndësishme t’i mbështesim së brendshmi, duke ngritur zërin, duke vendosur në mënyrë të vazhdueshme përpara syve të autoriteve serbe mënyrën se si trajtohen qytetarët e Serbisë në Kosovë dhe mënyrën se si trajtohen ata më kombësi shqiptare në Luginën e Preshevës. Kontrasti është shumë i madh, serbët në Kosovë kanë liri dhe të drejta që çdo pakicë do të ëndërronte t’i kishte. S’po flas për pakicën greke në Shqipëri sepse është një gjë krejtësisht tjetër, por po flas për zona të dala nga konflikte. Ne do të punojmë në shumë plane.
/Priza.al/