Një 64-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Tiranës, pasi akuzohet se furnizonte me materiale dhe produkte dentare disa laboratorë dhe klinika, që rezultonin të ishin kontrabandë.
Në kuadër të operacionit të koduar “Dentar” në pranga ra shtetasi me inicialet V. H.
Njoftimi i Policisë:
Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, operacioni policor i koduar “Dentar”. Furnizonte klinika dhe laboratore dentare, me produkte dhe materiale dentare, të dyshuara të kontrabanduara, vihet në pranga.
Sekuestrohen produkte dhe materiale të ndryshme dentare. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive në fushën e krimeve ekonomiko-financiare, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, se një shtetas furnizonte klinika dhe laboratore dentare, me materiale pune, të dyshuara të kontrabanduara, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Dentar”.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar në Rrugën e Bogdanëve, automjetin me drejtues shtetasin V. H. Gjatë kontrollit të automjetit dhe kontrollit të banesës së këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, produkte dhe materiale të ndryshme dentare, të dyshuara të kontrabanduara, me të cilat ky shtetas furnizonte klinika dhe laboratore dentare, në zona të ndryshme të Tiranës.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit V. H., 64 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjerë”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.