Agjencia Shtetërore e Kadastrës do të ketë gati procedurat për lehtësimin e legalizimeve për disa kategori të popullsisë brenda katër muajve të parë të këtij viti, ose më saktësisht, rreth një muaj përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit. Projektvendimi është publikuar në Programin e Përgjithshëm analitik të Projekt akteve për vitin 2023 të sapo miratuar nga Këshilli i Ministrave. Propozuesit e projekt aktit janë Kryeministri, Zëvendëskryeministri dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, në funksion të përmirësimit të punës dhe ecurisë së veprimtarisë së ASHK dhe detyrimeve që burojnë nga ligji nr. 20/2020.
Titulli i Projektvendimet është “Për rregullat e hollësishme për kalimin e të drejtës së pronësisë dhe regjistrimin e pasurisë së legalizuar, pagesën, çmimin favorizues, kategoritë e subjekteve që përfitojnë falje, si dhe përqindjet për zbritjet dhe përdorimit të bonove të privatizimit”, ndërkohë që në program përcaktohet se ai duhet të jetë gati brenda katër mujorit të parë të vitit.
Në rubrikën “Çështjet kryesore që parashikon të rregullojë projekt akti” sqarohet se ato janë përcaktimi i rregullave, pagesës, çmimit favorizues, kategorisë së subjekteve që përfitojnë falje në momentin e kalimit të së drejtës së pronësisë nëpërmjet legalizimit.
Dokumenti sqaron se Projekt akti Përputhet me programin politik të qeverisë 2021-2025 dhe konkretisht me kreun “Siguria e pronës” (faqe 47-48) dhe se Miratimi i tij është në funksion të zbatimit të Strategjisë ndër sektorialë “Reforma në fushën e të drejtave të pronësisë në vitin 2012-2020(kapitulli II).
Në fakt Ligji aktual për legalizimet e ndërtimeve informale ofron një seri lehtësish për disa shtresa të popullsisë, ndërkohë që duket se këtë vit Qeveria ka ndër mend të shtojë listën e përfituesve prej tyre./SCAN