Në Shqipëri, drejtuesi i komanduar i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj, njoftoi sot pasdite dorëheqjen, pas humbjes së thellë që opozita, përfshirë dhe grupimin e drejtuar prej ti, rregjistroi në zgjedhjet vendore të së dielës.
“Zgjedhjet e 14 Majit, padyshim, patën probleme serioze: presione mbi administratën, përdorim të fortësh, përdorim oligarkësh, sistem elektronik difektoz etj. Por, para së gjithash, ne duhet të shohim nga vetja. Ne duhet të analizojmë me seriozitet efektet e përçarjes së Partisë Demokratike në rezultatin e zgjedhjeve. Ne duhet të vlerësojmë si duhet punën e bërë në terren nga strukturat e partisë, impenjimin e gjithësecilit, kontributin e gjithësecilit, për të kuptuar çfarë shkoi keq dhe çfarë shkoi si duhet”, deklaroi zoti Alibeaj duke shtuar se e merrte këtë vendim “në shenjë reflektimi dhe përgjegjshmërie”, duke u larguar dhe nga pozicioni i drejtuesit të grupit parlamentar.
Ai mbajti drejtimin e partisë pas dorëheqjes, marsin vitin e kaluar, të ish kryetarit Lulzim Basha, duke refuzuar të njohë ish kryeministrin Sali Berisha dhe mbështetësit e tij, si përfaqësuesë zyrtarë të PD-së. Hapi i tij për të ankimuar në Apel, vendimin e gjykatës së Tiranës, e cila njohu Kuvendin e organizuar nga zoti Berisha në dhjetor të vitit 2021, dhe aktet që pasuan, çoi drejt një përplasjes të fortë mes dy grupimeve. Dështimi i përpjekjeve për të dalë me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet vendore, shoi më tej çdo mundësi bashkëpunimi. Gjykata e Apelit, në mars të këtij viti e la të hapur çështjen, ndërsa e ktheu dosjen për rigjykim në gjykatën e Tiranës. Një akt që konfirmoi zotin Alibeaj si përfaqësues zyrtar të kësaj partie, duke i dhënë atij të drejtë të garonte me siglën e saj. Zoti Berisha, nga ana e tij, zgjodhi që t’i rregjistronte kandidatët e vet, në siglën e kalicionit “Bashkë Fitojmë”, të drejtuar nga Partia e Lirisë e ish presidentit Ilir Meta.
Mes debateve të brendshme, PD e drejtuar nga zoti Alibeaj, kandidoi në momentet e fundit, vetëm për 14 bashki, duke u përqëndruar te Këshillat bashkiakë, ku në shumicën e zonave u rendit në vend të tretë. Në Tiranë, kandidati për kryetar të Bashkisë, Roland Bejko, mori shumë pak vota, duke u renditur i katërti, pas Arlind Qorrit, kandidat i “Lëvizja Bashkë”, forcë politike e rregjistruar në prag të zgjedhjeve.
Fushata e PD-së ishte një përplasje e dyfishtë, nga njëra anë me socialistët në pushtet dhe nga ana tjetër me koalicionin Berisha-Meta, që sipas zotit Alibeaj nuk përfaqëson opozitën reale të vendit.
Në deklaratën e tij të sotme zoti Alibeaj u shpreh se sipas tij, “Partia Demokratike, duhet të riorganizohet në mënyrë kapilare, në bazë të parimeve demokratike, dhe se ajo duhet të ketë rregulla të reja, parime të reja, për t’u ndarë nga e kaluara berishiste dhe për të ndërtuar një aleancë me potencial për 2025-ën”, deklaroi, ndërsa u shpreh krenar se gjatë vitit të fundit “ne nuk kemi lejuar që Partia Demokratike të zhbëhet. Ne nuk kemi lejuar që Partia Demokratike të shkojë drejt Lindjes. Ne nuk kemi lejuar që Partia Demokratike të shkojë në rrugën qorre të antiamerikanizmit”/VOA