Futbolli sot nuk është vetëm një sport me një top që gjuhet me këmbë, por shumë më shumë, madje mund të thuhet se tashmë është një industri.
Në këtë lloj industrie gërshetohen bashkë me lojën në fushën e blertë edhe shumë sektorë të tjerë, ku pa dyshim nuk mungojnë as milionat që rrjedhin si lumë.
Duke u konsideruar si sporti më i bukur dhe pa diskutim më i ndjekuri në botë, paratë që gjeneron futbolli sot konsiderohen ndër burimet më të mëdha të qarkullimit të financave në botë.
Si një industri shumë e madhe, edhe futbolli ka tashme tregun e tij ose merkaton, ku që të gjithë e kanë një çmim.
Europiani është një vitrinë shumë e rëndësishme ku të gjithë lojtarët janë nën vëzhgim, shpesh karriera e një futbollisti ka marrë një ndryshim të madh pas këtij aktiviteti, i tillë pritet të jetë edhe “Euro2020”.
Të gjithë përfaqësueset pjesëmarrëse kanë nga një yll të veçantë në përbërje, një lojtarë që kushton më shumë se të gjithë, ky klasifikim special në këtë europian kryesohet nga Kylian Mbappe.
Faqja e specializuar për vlerën e lojtarëve, “Transfermarkt” ka përpiluar një listë me lojtarë më të shtrenjtë për secilën nga 24 përfaqësueset. Me 160 milionë euro, Mbappe është lojtari më i shtrenjtë i Francës dhe i këtij europiani.
Sulmuesi ndiqet në këtë klasifikim nga një tjetër “bomber”, Harry Kane, kapiteni i Anglisë, i cili vlerësohet me 120 milion euro.
Në podiumin e lojtarëve më të shtrenjtë gjejmë Romelu Lukakun, sulmuesi i Belgjikës, që vlerësohet me 100 milion euro.
Kjo treshe sulmuesish ndiqet nga dy mesfushorë me shumë klas, De Jong i Holandës dhe Kimmich i Gjermanisë, të dy lojtarët vlerësohet me 90 milion euro, po aq sa edhe Bruno Fernandes i Portugalisë.
Italiani me i shtrenjtë në këtë klasifikim është Barela, me 65 milionë euro, ndërsa mungojnë emra të mëdhenj si Cristiano Ronaldo.
/Priza.al/