Një përplasje me Felix Afena-Gyan i ka kushtuar shumë Georgino Wijnaldum. Mesfushori holandez, një nga afrimet e fundit të verdhekuqve, është dëmtuar rëndë në stërvitje dhe do t’i mungojë gjatë Romës.
Jose Mourinho ndihet keq si të gjithë të tjerët tek ekipi italian, por me anë të një postimi në rrjetet sociale merr në mbrojtje 19-vjeçarin ganez, i cili po përballet me kritika të shumta, teksa ka pozuar me një fanellë “Forca Gini”.
“Ndonjëherë futbolli mund të jetë m*t. Në vetëm dy javë, Gini (Wijnaldum) u bë njëri prej nesh për shkak të cilësive të tij njerëzore (cilësitë e tij futbollistike i dinim).
Fatkeqësisht, në një përplasje në stërvitje ai pësoi një dëmtim të rëndë që do ta mbajë atë larg fushës për një kohë të gjatë. Por nuk është vetëm futbolli ai që është m*t ndonjëherë, të tillë bëhen edhe njerëzit.
Ata që nisën me thashethemet që një djalë fantastik si Felix është përgjegjës për atë që ndodhi, janë një llum i vërtetë. Sonte jemi të gjithë bashkë: luajmë për Romën, për Wijnaldum dhe për Felix”, shkruan “Special One”.