Futbollistëve u vodhën celularët e sendet me vlerë, grabitësit fikën dritat e kompleksit dhe shqyen derën

Futbollistët e Tiranës U-21 janë vjedhur pas ndeshjes me moshatarët e tyre të Shënkollit, në ndeshjen e luajtur në Shënkoll. Ky rast ka ndodhur dje, ndërsa futbollistëve u janë vjedhur celularët dhe sendet me vlerë.

Ndeshja ka përfunduar me rezultatin 1-1, por pas takimit, futbollistët kryeqytetas janë hasur me një surprizë aspak të këndshme. Ata nuk kishin më celularët dhe disa sende me vlerë që kishin marrë me vete.

Ky rast po hetohet nga Policia e Shtetit, lidhur me aktin e paprecedentë. Bëhet me dije se pas ndeshjes, një pjesë e madhe e lojtarëve të Tiranës kanë konstatuar se u janë vjedhur sende personale, si telefona, portofola, tuta sportive, madje edhe veshje të tjera, si xhinse apo bluza. “Panorama Sport” mëson se janë vjedhur 6 celularë “iPhone” me një vlerë të konsiderueshme, sepse kanë qenë prodhim i fundit.

Kur dhe ku është kryer grabitja?

Pas kqyrjes së vendit është konstatuar nga ana e policisë se hajdutët para se të shqyenin derën e dhomave të zhveshjes së Tiranës, kishin fikur dritat e kompleksit ku zhvillohej ndeshja. Më pas kishin nxjerrë jashtë funksionit edhe kamerat e sigurisë.

Vjedhja e lojtarëve të Tiranës U-21 është kryer gjatë pjesës së parë. Pas përfundimit të ndeshjes, lojtarët janë larë dhe kur kanë kërkuar celularët, kanë konstatuar se u mungonin edhe gjëra të tjera.

Lidhur me këtë rast, uniformat blu kanë thirrur në komisariat lojtarët e Tiranës, dhe stafin për të dhënë dëshmitë e tyre. Burimet bëjnë me dije se një futbollisti të Tiranës përveç celularit, i kanë vjedhur edhe portofolin me afro 1 milion lekë të vjetër që kishte me vete.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *