Piloti holandez i Red Bull, Max Verstappen u shpall kampion bote në Formula 1 për vitin 2021. Ai triumfoi në garën e Çmimit të Madh të Abu Dhabi zhvilluar sot pasdite në pistën e Yas Marina pas një gare të çmendur, të vendosur në xhiron e fundit.
Në vendin e dytë u klasifikua piloti britanik i Mercedes, Lewis Hamilton. Ai e dominoi garën për 58 xhiro, por e humbi atë në kthesat e fundit ashtu sikurse humbi edhe titullin kampion. I treti sot doli Carlos Sainz me Ferrari.
Ky është titulli i parë kampion në karrierë për Verstappen, që shkruan me të arta emrin edhe pse sot vuajti shumë. Ai e nisi garën nga “pole position”, por e humbi kreun që pas kthesës së parë dhe më pas ishte vazhdimisht në ndjekje të Hamilton.
Atij i duhej një mrekulli që ta fitonte garën e titullin dhe ajo ndodhi, kur ndodhi aksidenti i makinës Williams, 6 xhiro nga fundi, që anulloi çdo diferencë mes pilotëve në pistë. Të mërzitur dhe të pakënaqur me komisarët e garës drejtuesit e Mercedes, që panë t’i ikte fitorja nga duart në xhiron e fundit (Mercedes u shpall kampion për konstruktorë).
Ata nuk e mirëpritën vendimin e komisarëve që makina e dubluara të largoheshin dhe t’i hapnin rrugë sfidës mes dy pilotëve. Më pas, gomat e freskëta dhe të buta të Verstappen bënë diferencën, duke parakaluar Hamilton dhe fituar garën.
/Priza.al/