Fatbardh Kadilli, një nga kandidatët për kreun e Partisë Demokratike, thotë se kësaj force politike i duhet një transformim rrënjësor. Në një intervistë për Zërin e Amerikës ai shprehet se Partia Demokratike nuk duhet të jetë më ajo që ne trashëgojmë që nga periudha e zotit Berisha, apo qoftë nga periudha e zotit Basha. Zoti Kadilli thotë se kjo parti nuk mund të jetë kurrë në keqkuptim me Shtetet e Bashkuara, ndërsa komenton dhe vendimin e Departamentit amerikan të shtetit ndaj ish kryeministrit Sali Berisha
Zëri i Amerikës: Zoti Kadilli, në këtë garë, që në fillim të saj, ju shpalosët një platformë, apo atë që e quajtët një Manifest politik. Shkurtimisht, cilat janë pikat kryesore, të rejat që ju sillni apo iu ofroni demokratëve me anë të kësaj platforme?
Fatbardh Kadilli: Manifesti politik që unë kam paraqitur para të gjithë demokratëve, në fillim në deklarimin nga selia e Partisë e pastaj në të gjitha takimet e në media, përmblidhet në fare pak pika, në 5 shtylla kryesore. E para, ne na duhet një parti më e madhe se kryetari. Që do të thotë që pesha e vendimarrjes mos të jetë në zyrën e kryetarit por te anëtarësia, për të vendosur e për të zgjedhur ata në liri të plotë, me votën e tyre të drejtëpërdrejtë, me primare, kandidatët për deputetë, për bashki, për drejtuesë të degëve. Njëherësh strukturat të kenë fleksibilitet për t’i lejuar gjithkujt që ka iniciativë e që është brenda parties, për të krijuar seksionin e tij, forumin e tij, si në territor, apo në rrafsh horizontal, në bazë grupimesh të ngjashme për arsye interesash apo formimesh. E dyta, është një parti më e madhe se vetvetja, që do të thotë se partia të zmadhohet përmes partneritetit. Jo më me strukturat tradicionale të Forumit të Gruas e të Rinisë, por këto të shërbejnë këtej e tutje si ombrella të organizatave të shumta që penetrojnë nga partia në territor, në organizimet politike e semipolitike që janë të themi satelitë të një partie e sjellin të gjitha problematikat e rinisë, gruas, problamtikat sociale, të grupeve të interest, si biznesit, fermerëve, gjithkush pra që mbron kauza të djathta, të sipërmarrjes së lirë, të edukimit, të ligjzbatimit, të traditës, të etikës së djathtë. Të gjitha këto organizata, janë në partneritet dhe ky partneritet i zgjeruar e bën partinë më të madhe se vetvetja.
E treta, partia duhet të jetë frymëzuese. Partia frymëzon me modelin e saj, me mënyrën se si sillet, se si organizon punët e saj, sa demokratike është brenda vetes, sa përfaqësuese është e interesave përtej vetes, për t’u shndërruar në një lëvizje popullore.
E katërta duhet të jetë e vërtetë, me kauza jo rastësore, si sende të gjetura në rrugë, por me kauza programore, të tilla si ndarja administrative, e cla është një çështje që duhet të trajtohet nga e para. Kushtetuta, ka nevojë për t’u balancuar, për t’u rikonsideruar e tëra sepse është arnuar aq shumë sa nuk gjendet copa origjinale e saj. Reforma në Drejtësi, është një nga pikat më delikate të sistemit të sotëm demokratik. Ne ka nevojë ta ushqejmë këtë Reformë, institucionet e saj, jo vetëm me teksturën ligjore e formale, por me moral shoqëror, me burime njerëzore dhe me mjetet e domosdoshme që ajo të jetë efikase. Këto janë sfidat programore që e bëjnë atë të vërtetë. Qëndrimi ndaj tyre e shpall të vërtetë ose të pavërtetë një parti.
Dhe së fundi, partneriteti, partneriteti brenda saj, me organizimet rrotull saj dhe mbi të gjitha me partnerët strategjikë. Eshtë e patolerueshme që kjo parti të jetë në një raport fërkimi apo moskuptimi me partnerët strategjikë të cilët janë aksionerë të rëndësishëm të demokracisë shqiptare, që janë garant të sigurisë së këtij shteti dhe të lirisë e demokracisë shqiptare.
Zëri i Amerikës: Zoti Kadilli, ju shpesh keni folur gjatë kësaj kohe për nevojën e një opozitë të re, për një ringritje të PD. Çfarë nënkupton kjo, në qasjen e kësaj force politike si në raport me veten ashtu dhe me shoqërinë?
Fatbardh Kadilli: Ne duhet t’i japim fund një përvoje tanimë 30 vjeçare të një partie të organizuar mbi inercinë e mbi modelin që ka qenë që nga Partia e Punës e më tutje. Ka nevojë për një parti e cila forcon individin brenda saj, anëtarin brenda saj, e bën atë të frymëzuar, me një karrierë të garantuar, e bën të motivuar, përfaqësues, e bën lider e i mbledh të gjitha energjitë e shoqërisë. Ky do ishte një ridizenjim total, një transformim, një shndërrim total i kësaj partie, Kjo parti nuk duhet të jetë më ajo që ne trashëgojmë që nga periudha e zotit Berisha, apo qoftë nga periudha e zotit Basha. Duhet të jetë një parti që energjizon individin politik, të traditës së djathtë, të qendrës, çdo individ që e sheh Partinë Demokratike si një instrument për të realizuar përfaqësimin, idetë e veta, kauzat e veta politike e për të mbrojtur interesat e veta. Kjo është një opozitë e re.
Zëri i Amerikës: Zoti Kadilli, kryetari aktual zoti Basha flet për një masakër elektorale, një rezultat të 25 Prillit i cili nuk mund të njihet e gati gati këtë e ka shpallur si një vijë ndarëse, mes demokratëve, pra mes atyre që e pranojnë këtë qasje dhe atyre që nuk e pranojnë një qasje të tillë…
Fatbardh Kadilli: Zoti Basha ripërtyp të njejtin fjalim që nga viti 2015, kur për herë të parë PD nën drejtimin e tij pësoi humbje në zgjedhjet lokale. Zoti Basha nuk doli më dot nga kompleksi i humbësit, e vetëm sa ndërron epitetin apo cilësimin për zgjedhjet e radhës. Masakër? Po mund ta quajmë dhe genocide, holokaust.. çfarëdo termi emocional mua nuk më ndryshon në atë që është problematika e zgjedhjeve, e cila është e njohur dhe e përsëritur dhe e tillë do të jetë. Do vijnë duke u zvogëluar apo zmadhuar problematikat, kjo është çështje tjetër. E rëndësishme është të ndajmë përgjegjësitë tona si humbës, me përgjegjesitë e kundërshtarit si tjetërsues i vullneteve. Nëse ne kuptojmë që është tjetërsuar vullneti, duhet të jemi të qartë në një gjë, edhe për atë kemi përgjegjësi ne, edhe pse shqiptari ka shitur votën. Nuk bëhet fjalë për vjedhje në tavolinë, për vjedhje në komisione. Nuk do t’i fyeja kurrë demokratët komisionerë, numëruesë, vëzhguesë, me një akuzë të tillë. Blerja e votës, që është problem më i madh, është një akt I paligjshëm, i pamoralshëm, por është i vullnetshëm. Nëse dikush e shiti shpresën e Lulzim Bashës me një thes me miell, apo me një shportë me ushqime, apo dhe me shumë euro, do të thotë që nuk ka shpresë te vota. Ne duhet t’i japim vlerë votës që njerëzit të mos e shesin votën.
Zëri i Amerikës: Zoti Kadilli, ka patur zëra të ndryshëm që ju kanë përmendur faktin se ju keni qenë në strukturat drejtuese të Partisë Demokratike, dhe se këto shqetësimet po i ngrini vetëm tani…
Fatbardh Kadilli: Janë struktura të Partisë Demokratike por që nuk kanë qenë aspak demokratike. Mendimet e mia i kam shfaqur personalisht të kryetari, si institucion, e po ashtu dhe në institucionin e Kryesisë. I kam shfaqur dhe publikisht. Katër vjet më parë kam publikuar mendimet e mia se si duhej ridizenjuar PD-ja, me të njëjtin titull siç është fjalia e parë e Manifestit tim politik “Për një parti më të madhe se kryetari”. U detyrova të ripublikoj tani pas katër vitesh. Kam ripublikuar artikuj “Tre rrugë se si ngrihet pozita”. Janë publikime të miat, të artikujve ku unë kam trajtuar dhe publikisht e duke qenë një njeri shumë luajal politikisht, kur jam detyruar të dal në publik, të jeni të sigurt, se e kam konsumuar çdo instrument brenda hapësirës të Partisë Demokratike, e cila është demokratike në emër por jo demokratike në institucione.
Zëri i Amerikës: Zoti Kadilli, kjo garë u shoqërua dhe me një ngjarje tornditëse për PD-në, vendimi i departamentit amerikan të Shtetit për ndalimin e hyrjes në SHBA ndaj zotit Berisha. Sa shqetësues është për ju ky vendim, duke patur parasysh rolin, historinë e zotit Berisha në Partinë demokratike dhe ndikimin e tij në këtë forcë politike
Fatbardh Kadilli: Eshtë patjetër një ngjarje shumë e rëndë, jo vetëm për PD-në, por dhe për gjithë Shqipërinë, sepse zoti Berisha është personi me të cilin u identifikua tranzicioni shqiptar, u identifikua Partia Demokratike, ish president, ish kryeministër, lider historik i partisë më të madhe në opozitë. Për të personalisht ka qenë një ngjarje shumë e hidhur. Personalisht kam qenë shumë i qartë, që në ditën e parë, madje jam shprehur përpara se të shprehej dhe kryetari në detyrë, edhe vetë zoti Berisha. Zoti Berisha i ka të gjitha mundësitë, synimet dhe etikën që ta mbrojë veten e tij në rrugë private, pa e përfshirë PD-në në betejë. Deri më sot e ka bërë një gjë të tillë. PD di të bëjë dallimin mes institucionit të memories së vet dhe raporteve me partnerët ndërkombëtar dhe unë jam i bindur se një PD e ridizenjuar, krijon hapësira për të prodhuar shumë herë më tepr opozitë vitale dhe energjike dhe me kualitete njerëzore që do ta kthejnë PD-në në partnerin më të mirë të shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve.
Zëri i Amerikës: Megjithatë duket se ky vendim ka nxitur dhe një farë zemërate mes demokratëve, po të shohësh reagimet në rrjetet sociale. A e shihni ju rrezikun e një fryme antiamerikane që mund të cënojë raportet e PD-së me Shtetet e Bashkuara?
Fatbardh Kadilli: Ndjeshmëria e lartë ndaj figurës së zotit Berisha është shoqëruar dhe me shprehje emocionesh të kësaj natyre, por në PD-në, parti që është krijuar nga ata që kanë bërë burg për aleancën me amerikanët, që kanë dëgjuar Zërin e Amerikës, është e papranueshme që të gjallojnë emocione të kësaj natyre. Dhe ata që helmojnë këtë lloj raporti, me teori konspirative, nuk i shërbejnë fare shëndoshjes së klimës në PD, zhdërvjelltësimit dhe rivitalizimit të një opozite të re. Nuk mund të ketë kurrë një PD në moskuptim, apo dhe më keq, në keqkuptim me SHBA-të dhe me gjithë faktorin perëndimor që garanton sigurinë, lirinë dhe demokracinë e shqiptarëve në Shqipëri dhe kudo që janë në rajon.
Zëri i Amerikës: Zoti Kadilli, një pyetje të fundit që ja kam drejtuar dhe kolegëve tuaj të tjerë në garë. Pothuajse të gjithë ju, në fillim të saj, folët për kushte të pabarabarta. Tani që kësaj gare po i vjen fundi, si e shihni zhvillimin e saj?
Fatbardh Kadilli: Një garë nis e pabarabartë dhe vazhdon e pabarabartë. Po ju them vetëm diçka. Mes kërkesave që shpalla para mbledhjes së kryesisë e cila modeloi garën, kam kërkuar ngrirjen e administratës së PD-së. Ne akoma dhe sot që flasim, po të shihni faqet në Facebook të degëve të PD-së, janë të mbi mbushura me mesazhe për Bashën, që shpërndahen nga ajo që e quajmë “Bërthama digjitale”, një strukturë e PD-së që paguhet nga Partia Demokratike, dhe zhbalancon dhe ajo vetë garën. Eshtë një element dytësor, por mjafton të klikoni dhe do shikoni çdo aktivitet të Bashës, dhe po të shihni faqen e një dege, mund të mos e kuptoni që në PD po zhvillohet një garë mes 4 kandidatëve. Kaq e pabarabartë është dhe gjëja më e keqe është se ne i kërkojmë rregulla lojë Ramës. Ne nuk kemi rregulla loja. Neni 51 i Statutit, pika 3 “Kryetari zgjidhet me një anëtar një votë, modalitetet përcaktohen nga rregullorja e Brendshme”. Ne nuk kemi rregullore të brendshme. Ne kemi një komision Apeli, që nëse kam një ankesë mund ta apeloj. Ne kemi kryetar të Komisionit të Apelit, por nuk kemi anëtar të komisionit dhe një rregullore se si funksionon. Pra askush nuk ka të drejtë të ketë një instancë apeli. Ne kemi një KAS,(në KQZ) i mirë apo i keq, i gjykuar apo paragjykuar, por ekziston.
Ndryshohet data e zgjedhjes, ndryshohet çdo gjë në shërbim të kacavjerrjes së kryetarit pas karriges që mban prej 8 vitesh. Një kacavjerrje që tregon edhe një herë më shumë se çdo gjë tjetër, atë që kam deklaruar në intervistën me ju së pari, kur kam shpallur kandidaturën. Në politikë mund të zvarritesh sa të duash, por nuk ke çfarë thua më kur ka përfunduar cikli yt politik. Bashës i ka mbaruar cikli politik, dhe për fat të keq po dëshiron të marrë me vete në këtë fund edhe Partinë Demokratike.