Ditën e sotme do të përzgjidhet projekti fitues për stadiumin e ri të Flamurtarit në Vlorë. Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në këtë aktivitet. Gjatë fjalës së tij ai tha se me ndërtimin e stadiumeve do përmirësohet jo vetëm klima sportive, por do të rriten edhe të ardhurat e bizneseve.
“Kjo është finalja e tretë e këtij procesi transformimi të infrastrukturës së futbollit, por edhe te teksturës urbane. Me këtë duam të fitojmë jo vetëm stadiume, por edhe qendra të reja të jetës sociale dhe ekonomike, të cilat do rrisin cilësinë e jetesës. Këto tre stadiume (Durrës, Korçë, Vlorë) nuk janë fundi i një përpjekje të nisur, por janë vetëm vazhdimi. Pas këtyre projekteve, ne do të ulemi me federatën, për të parë se cilët do jenë vagonët e tjerë që do ti bashkohen këtij treni. Do hapim, kantierin e dytë në Tiranë, atë të ndërtimin e stadiumit “Selman Stermasi” , me Partner Publik Privat” – tha Rama.
Kreu i qeverisë bëri me dije se po punohet që edhe në Vlorë të ketë një akdemi të një prej klubeve më të mira të Evropës. Në konkursin Ndërkombëtar për Projektin e Stadiumit të Ri “Flamurtari” garojnë për finalen 3 studio arkitekture bashkëkohore: FUKSAS (Itali), OPPENHEIM Arkitekturë (SHBA & Zvicër) dhe XDGA (Belgjikë).