Garda Revolucionare e Iranit tha se Ismail Haniyeh, lideri politik i Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – është vrarë gjatë një sulmi në Teheran, duke fajësuar Izraelin.
Garda tha se po heton sulmin që la të vrarë Haniyeh, 62 vjeç, përderisa ai ishte në Teheran për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri të Iranit, Masud Pezeshkian, më 30 korrik.
Garda Revolucionare e Republikës Islamike nuk dha detaje se si u krye sulmi.
Hamasi – që mbështetet nga Irani – konfirmoi lajmin përmes një postimi në Telegram më 31 korrik, duke thënë se Haniyeh u vra “në një sulm ajror në rezidencën e tij në Teheran”.
Pala izraelite ende nuk ka konfirmuar vdekjen e liderit politik të Hamasit.
Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbad, menjëherë dënoi vrasjen, duke e cilësuar “akt qyqar dhe zhvillim të rrezikshëm”, sipas agjencisë shtetërore palestineze të lajmeve, WAFA.
Disa shtete kanë dënuar sulmin. Rusia e ka quajtur “vrasje të papranueshme politike”, ndërkaq Turqia ka paralajmëruar se vrasja e liderit politik të Hamasit do të zgjasë luftën mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.
Kur u pyet për sulmin që vrau Haniyeh, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, u tha gazetarëve në Filipine – ku po zhvillonte një vizitë – se “nuk kam informacione shtesë për t’iu dhënë”.
Më herët gjatë 30 korrikut, Izraeli pretendoi se ka “eliminuar” Fuad Shukr, komandantin e grupit militant, Hezbollah, që Izraeli pretendon se qëndron prapa sulmit me raketa në fundjavë që vrau 12 të rinj izraelit.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit shkruan në X – që më herët njihej si Twitter – se Shukr, ka “drejtuar” sulmet e Hezbollahut.
Grupi libanez, Hezbollah, ende nuk ka reaguar për këtë ngjarje.
Shukr ishte në kërkim nga autoritetet amerikane për përfshirjen e tij të dyshuar në sulmin e vitit 1983 ndaj trupave amerikane në Bejrut. Uashingtoni kishte ofruar 5 milionë dollarë shpërblim për informacione për Shukr, i cili njihej edhe si al-Hajj Mohsin dhe gjendej në listën amerikane të terroristëve.
Hezbollahu, që rrallë mohon sulmet ndaj caqeve izraelite, ka mohuar se është përgjegjës për sulmin e 27 korrikut në Lartësitë e Golanit, të pushtuara nga Izraeli. Por, Izraeli është zotuar se do t’i hakmerret grupit që mbështetet nga Irani.
Izraeli është zotuar se do të vrasë udhëheqësit e Hamasit për shkak të sulmit që grupi radikal palestinez kreu brenda territorit izraelit më 7 tetor, duke vrarë 1.200 persona. Afër 250 të tjerë janë rrëmbyer, disa prej të cilëve që atëherë janë liruar.