Në pritje të zgjedhjeve për PE-në ku kandidon për eurodeputet edhe Fredi Beleri në listën e partisë së kryeministrit Mitsotakis, Athina zyrtare nuk ka hequr asnjë moment dorë nga kërcënimet kundër Shqipërisë për të bllokuar rrugën Europiane të integrimit.
Gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” në një shkrim të gjatë thekson se Edi Rama e di shumë mirë se “e ashtuquajtura perspektivë BE ” nuk është më asgjë më shumë se një iluzion.
“Kjo është arsyeja pse kërcënimi për të penguar një proces që nuk ka përparuar prej vitesh vështirë se do ta trembë kryeministrin e Shqipërisë” shkruan “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.
Por përse Mitsotakis e kandidoi Fredi Belerin për eurodeputet? “Frankfurter Allgemeine Zeitung” ka dy shpjegime. “Zgjedhja e Belerit duhet t’u bëjë të qartë burokrateve në BE se shkelja e shtetit ligjor në Shqipëri është një çështje panevropiane. Deri më tani kancelari gjerman Olaf Scholz dhe zyrtarët e Brukselit e kanë konsideruar çështjen e Blerit një çështje dypalëshe.
Arsyeja e dytë është se partia e Mitsotakis synon që të fitojë vota edhe nga ana e ekstremit të djathtë të spektrit politik grek. Si anëtar i burgosur i minoritetet grek në Shqipëri, Beleri është kandidati i ideal për këtë, përveç kësaj rezymeja e tij mund të tërheqë vota përtej qendrës së djathtë” shkruan “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.