Gazetarët që raportojnë nga Kuvendi i Shqipërisë u njoftuan më 4 qershor se Byroja e Kuvendit ka vendosur të mbyllë aksesin e gazetarëve nëpër mjediset e kryesisë së kuvendit, duke i ndaluar edhe kameramanët të raportojnë në mënyrë të pavarur, dhe duke e zëvendësuar këtë me transmetimet e kontrolluara nga vetë kuvendi.
Por sot rregullorja ka ndryshuar, pasi Kuvendi është tërhequr nga ky vendim. Protestat e gazetarëve të terrenit detyruan Kuvendin të tërhiqet nga ndryshimet e njëanshme që përjashtonin median nga komisionet parlamentare.
Me shkresën e firmosur nga kryeparlamentari Ruçi, reporterët do të mund të ndjekin fizikisht në Kuvend mbledhjet e komisioneve parlamentare, teksa pamjet e prodhuara nga Kuvendi nuk do të jenë të vetmet që media do të mund të transmetojë. Operatorët do të mund të marrin plane, në 5 minutat e para të mbledhjeve ndërsa në dispozicion do t’u vihen edhe planet e sistemit.
Gjithashtu Kuvendi u tërhoq nga vendimi që punonjësit e gardës të shoqërojnë gazetarët në ambjentet e Kuvendit, duke konsideruar si të nevojshëm vetëm kontrollin fillestar në hyrje. Vendimi pason një sërë takimesh të gazetarëve me përfaqësues të Kuvendit, si edhe protestës së kryer në ambjentet e jashtme të parlamentit.
Pas protestave dhe reagimeve të shoqatave të gazetarëve si dhe te Bashkimit Europian, Kuvendi i Shqipërisë u ul me gazetarët dhe vendosi të tërhiqet nga vendimarrja e tij, duke pranuar kërkesat e tyre.
/Priza.al/