Gerti Bogdani, ish-deputeti i Partisë Demokratike, është shprehur në lidhje me vendimin e Byrosë së Kuvendit, për të mos lejuar praninë fizike të gazetarëve në mbledhjet e komisioneve të parlamentit.
Kujtojmë se gazetarët që raportojnë nga Kuvendi i Shqipërisë u njoftuan të premten më 4 qershor se Byroja e Kuvendit ka vendosur të mbyllë aksesin e gazetarëve nëpër mjediset e kryesisë së kuvendit duke ndaluar gazetarët dhe kameramanët të raportojnë në mënyrë të pavarur dhe duke e zëvendësuar këtë me transmetimet e kontrolluara nga vetë kuvendi.
Bogdani thekson se kjo është një formë diktature, teksa shpreson që të ketë një reagim të fortë nga ana e gazetareve. Më tej shprehet se ky është sulmi më frontal që i është bërë mediave në Shqipëri. “Është një absurditet dhe një lajthitje. Është një formë e re e diktaturës, një bllokim i medias së lirë, të zërit së lirë. Shpresoj që të ketë një reagim shumë të fortë të gazetarëve për këtë pikë. Është një censurë e fjalës së lirë që ndodh për herë të parë në 30 vitet e fundi. Është tamam si në regjimin e Lukashenkos, jo si një vend anëtarë në NATO. Protesta është shumë e rëndësishme, por duhet të ketë edhe një bojkot të mediave dhe ndaj institucioneve të vendit në tërësi. Duhet të ketë një sinkronizim dhe një angazhim të gjitha mediave. Ky është sulmi më frontal që i bëhet medias në Shqipëri.”
Në lidhje me shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, nga detyra Bogdani thotë se është një angazhim i Ramës që do e çojë deri në fund. “Është sulm politik, që nuk ka dyshim se si do të jetë votimi nesër në parlament, është diçka që Rama e ka filluar prej kohësh. Të gjithë ata që janë në komision nuk mund të arrijnë një standard qoftë me veten e tij. Është një angazhim i Ramës që do ta çojë deri në fund. Më pas duhet parë se si do të vijoj në Gjykatën Kushtetuese, që është në ngërç për këtë çështje.”