Gazetari anti-qeveritar ‘mposhtet’ nga regjimi bjellorus/ Roman Protaseviç: E respektoj presidentin Lukashenko!

Roman Protaseviç, gazetari anti-qeveritar bjellorus, arrestimi i të cilit bëri bujë në të gjithë botën, është paraqitur në një intervistë në televizionin shtetëror.

I përlotur ai ka pranuar fajësinë për protestat e vitit të kaluar kundër presidentit Alexander Lukashenko.  Protaseviç 26 vjeç, u ndalua në Minsk pas devijimit të detyruar të avionit ku fluturonte drejt Lituanisë. I njohur për rebelimin e tij ndaj regjimit të Lukashenkos, ai në intervistë shfaqi pendim dhe tha se ka krijuar mendim ndryshe për presidentin e tij dhe pranoi përpjekjet për ta rrëzuar atë. “E kam kritikuar presidentin Lukashenko por kam filluar të kuptoj se ai po bën gjënë e duhur, e sigurisht që e respektoj. Tani duhet t’i braktisim organizimet në rrugë si atëherë sepse nuk vlejnë më.”

Protaseviç u shfaq i prekur në fund të intervistës, duke thënë se shpresonte që një ditë të martohej dhe të kishte fëmijë, ndërkohë që me akuzat që i rëndojnë rrezikon deri 15 vite burg, dhe më shumë për akuzën e terrorizmit.

Organizatat e të drejtave të njeriut thonë se në trupin e gazetarit ishin të dukshme shenjat e dhunës në kycet e tij dhe janë të bindur se ai është torturuar. I ati i 26-vjeçarit tha se sikundër në shfaqjet e tjera televizive, intervista e së enjtes ishte realizuar nën masat e presionit psikologjik. “Unë e njoh mirë djalin dhe ai nuk do të thoshte kurrë diçka të tillë. Ata e kanë torturuar dhe e kanë detyruar të thotë atë cfarë duhet”, u shpreh babai i gazetarit.

Vendet perëndimore i kanë dënuar veprimet e 23 majit nga ana e qeverisë së Lukashenkos, ndërsa shumë shtete të BE-së kanë kufizuar hapësirën ajrore për linjën bjelloruse shtetërore.

Kush është Roman Protasevich?

Në llogarinë e tij në Twitter, Roman Protasevich e përshkruan veten si “gazetari i parë terrorist në histori”. Për Protasevic, zhvillimet e fundit janë kulmi i dhjetë viteve të veprimtarive të opozitës. Emri i tij u shfaq për herë të parë në publik kur u arrestua në Minsk si një student 16-vjeçar – me flokë të gjatë dhe një kokë krenare, për pjesëmarrje në protesta kundër Lukashenko. Pavarësisht notave të mira, ai u përjashtua nga shkolla. Ai u arrestua përsëri në 2011 me akuzat se ishte pas një blogu opozitar ndaj qeverisw në media sociale.

Roman Protasevich
Roman Protasevich

Protasevich më pas u bashkua me organizatën rinore opozitare Fronti i Rinisë dhe studioi gazetari në Universitetin e Minskut. Por ai u përjashtua nga atje për gjoja arsye zyrtare. Ai vetë beson se motivet politike ishin thelbësore. Në vitin 2017 ai mori një Bursë Havel nga redaksia Bjelloruse e radios amerikane “Evropa e Lirë” me seli në Pragë.

Protasevich u largua nga Bjellorusia në 2019-ën për të jetuar në mërgim në Lituani. Nga atje ai mbuloi ngjarjet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 dhe pas tyre u akuzua për terrorizëm dhe nxitje të trazirave. Ai ishte një nga mobilizuesit i protestave anti-qeveritare të vitit 2020 ku plot 34 mijë njerëz u arrestuan dhe mijëra të tjerë u dhunuan në rrugët e Minskut. Pikërisht me akuzën se ishte “ekstremist që nxit revoltë anti-kombëtare” ai ishte në kërkim nga autoritet bjelloruse që e kanë dënuar padrejtësisht.

Protasevich ka qenë një nga zërat publikë më të prononcuar kundër presidentit Alexander Lukashenko i cili ka që në vitin 1991 në krye të ish-republikës sovjetike të Bjellorusisë.

Çfarë është ‘Nexta’?

Protasevich dhe shoku tjetër disident Stepan Putilo bashkëthemeluan kanalin opozitar Nexta në Telegram , i përdorur për mobilizimin e protestave në rrugë. Nexta dhe Nexta Live kanë gati dy milion abonentë dhe kanë marrë censurë të rëndë shtetërore.

Ekipi i vogël Nexta (shqiptohet “nekhta”, që do të thotë “dikush” në Bjellorusisht) është i vendosur në Poloni por gjithashtu punon ngushtë me disidentët Bjellorusë në Lituaninë fqinje. Ajo u lansua nga Z. Putilo në 2015 si një kanal muzikor YouTube, por shumë shpejt kaloi të përqendrohej në përmbajtjen politike.

Stepan Putilo
Stepan Putilo

Portali i lajmeve anti-qeveritare NEXTA operonte kryesisht në rrjetin social Telegram pasi nuk mund të censurohet nga qeveritë dhe përdoruesit e kanë më të thjeshtë të ruajnë anonimatin. Ka publikuar postime me foto dhe video ku duket hapur brutaliteti i policisë brenda turmave,

Kur u pyet një herë nga BBC ruse nëse Nexta ishte një qendër proteste ose një media, Z. Protasevich tha: “Eshtë e vështirë të thuash kush jemi. Unë mendoj se ne jemi kryesisht Bjellorusë që do të dëshironim të ktheheshim në shtëpi dhe të jetonim në një vend të lirë pa diktatura.” Protasevich punonte edhe për një kanal tjetër të Telegram, Belamova. Ai filloi të shkruajë për të pasi blogeri saj Igor Losik u arrestua nga autoritetet Bjelloruse në qershor 2020.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *