Alice Taylor, gazetare britanike që jeton prej disa vitesh në Shqipëri, ishte e ftuara e radhës në episodin e kësaj fundjave në podkastin “Flasim”, të Kryeministrit Rama. Përgjatë bashkëbisedimit me Kryeministrin, Taylor u ndal edhe te mënyra se si politika britanike e ka trajtuar çështjen e emigracionit.
“Retorika e tyre kundër Shqipërisë. Së pari është e turpshme. Më vjen turp kur shoh gjërat më të fundit që kanë thënë. Më vjen turp nga politikat e tyre të emigracionit. Më vjen turp nga mënyra se si i trajtojnë të huajt. Kjo është gjëja kryesore që më bën të ndjej. Kur dëgjoj shqiptarë që më thonë që fëmijët e tyre janë bullizuar në shkolla në Angli sepse janë shqiptarë apo sepse nënave të tyre u është refuzuar viza për të shkuar për të vizituar vajzën që sapo ka pasur një fëmijë, atëherë kjo është e turpshme. Çfarë e bën këtë vend kaq të madh sa që kanë të drejtën të kthejnë mbrapsht një qenie njerëzore që ka një arsye të vlefshme për të shkuar atje? Kam miq që nuk kanë arritur të marrin viza për të studiuar në universitete atje. Mendoj që është qesharake ne momentin kur vendi ka një mungesë të krahut të punës dhe më duket e turpshme. Nuk më bën krenare të jem britanike aspak”, tha Alice Taylor.
Taylor foli ndër të tjera edhe për ndryshimet që ajo ka parë në Shqipëri gjatë pesë vite e gjysmë, teksa ka ndërtuar jetën e saj në vendin tonë. Gazetarja britanike shprehu dëshirën për të rritur vajzën e saj në Shqipëri, vend që prej vitesh është shtëpia e saj.
“Qartësisht, në 5 vjet e gjysmë ka pasur jashtë mase ndryshime. Disa prej tyre janë të mira, disa prej tyre nuk jam domosdoshmërisht tifoze e tyre. Është më e lehtë sot që t’i bësh gjërat këtu. Kështu edhe rrugët në mbarë vendin janë më të mira. Po, ka pasur ndryshime. Po sigurisht, ka gjëra që kur jeton këtu për një kohë të gjatë dhe zhytesh më shumë në këtë shoqëri dhe fillon t’i kuptosh, fillon të shohësh dhe dua që t’i paraprij diskutimit tonë, duke thënë se kritika ime dhe kemi folur për këtë, është rezultat i pasionit, sepse kur shkruaj një artikull, shkruaj sepse kam një ndjenjë të fortë të drejtësisë sociale, në qoftë se shoh diçka që më mërzit, mërzitem thellësisht… Kështu del ajo që shkruaj sepse unë dua që gjërat të ndryshojnë. Dua të rris vajzën time këtu. Dua të plakem këtu. Pra nuk dua të bëhem e bezdisshme thjesht për hir të kësaj”, tha ajo.
Në bashkëbisedimin me gazetaren britanike Alice Taylor, në podcastin “Flasim”, Kryeministri Rama, u ndal edhe në një prej artikujve të saj kritikë mbi emigrimin e shqiptarëve. Rama e njohu gazetaren britanike me shifrat reale të largimit të shqiptarëve në vitin 2019, duke shtuar se përveç shqiptarëve që largohen, kemi edhe dimensionin e shqiptarëve që kthehen.
“Për shembull, në një prej shkrimeve tuaja – të cilat më duhet ta pranoj, janë të sakta kur mbështeten në fakte, pra është shumë e vështirë që t’ju kapësh në gabim lidhur me faktet, po jo aq e vështirë t’ju kapësh gabim në shprehjen e opinioneve, por opinionet janë të lira e legjitime gjithsesi – ju thoni “në 2019, 360.699 persona u larguan nga vendi, e barasvlershme me 12.4%”. Kam këtu të dhënat, i kam sjellë sepse është e rëndësishme që të përpiqemi t’i ndajmë këto të dhëna në çdo rast që kjo temë diskutohet. Në 2019, personat që u larguan nga vendi ishin në fakt 43.850 dhe nga ana tjetër, ka shumë rëndësi edhe një dimension tjetër, përveç atyre që largohen e që padyshim janë më të shumtë se ata që kthehen, kemi megjithatë edhe ata që kthehen. Janë të kthyer nga vite të gjata emigrimi apo të kthyer nga përpjekje të dështuara për të emigruar”, tha Rama.
Më tej Rama pyeti Taylor nëse ka një forcë të mundshme që mund ta ndalë këtë trend historik?
“Po, në mënyrë që gjërat të bëhen më mirë na duhet të kuptojmë se çfarë e nxit problemin dhe nuk mendoj se kjo është tërësisht e qartë. Mendoj se ka shumë e shumë faktorë të ndryshëm që luajnë rol këtu, si për shembull besoj që nuk ka të bëjë vetëm me njerëzit që besojnë se ata nuk mund të gjejnë një punë të mirë këtu dhe paga nuk është e lartë mjaftueshëm dhe që nuk ka mundësi të mjaftueshme. Natyrisht i dëgjoj këto arsye, por mendoj që është një çështje më e thellë në themel të të gjitha këtyre dhe ka të bëjë me atë çka ndodhi në fund të komunizmit, e me atë çka ndodhi në 1997-ën. E shoh ndoshta nga pikëpamja e një personi të jashtëm, por mendoj se ka mbetur një plagë mjaft e hapur në shoqërinë shqiptare nga ajo çka ka ndodhur në të shkuarën. Dhe mendoj që në një farë mënyrë kjo i është përcjellë brezave të rinj dhe të rinjve dhe mendoj që kjo ushqen një lloj ndjesie tëhuajsimi, duke qenë se nuk ka një pajtim të vërtetë, çka çon në ndjesinë e shkëputjes së njerëzve nga vendi. Janë të zhgënjyer, dëgjojnë prindërit e tyre që ankohen dhe e ndiejnë këtë lloj dëshpërimi në njëfarë mënyre. Dhe mendoj që kjo është diçka që e kombinuar me të gjithë faktorët e tjerë, që natyrisht ka të bëjë dhe me dëshirën e njerëzve për të emigruar sidoqoftë apo me faktorët ekonomikë e me punën, i shtohet asaj çfarë kemi në Shqipëri për momentin”, u përgjigj ajo.