Nga data 30 qershor, do të qarkullojë kartëmonedha e re e prerjes 10 mijë lekë, prerja më e madhe që është emetuar ndonjëherë, si dhe kartëmonedha 1 mijë lekë. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko ka prezantuar ditën e sotme dy prerjet e serisë së re, ku u shpreh se “prerja e re 10 mijë lekëshe është nevojë e lidhur me zhvillimin ekonomik të vendit dhe plotëson kërkesat e tregut për të pasur një prerje të tillë.”
Gjithashtu Guvernatori shtoi se “hedhja në treg për herë të parë përfaqëson në vetvete shkallën e zhvillimit të sistemit elektronik të pagesave, si dhe tregues të tjerë, që lidhen me trajtimin e parasë. Kjo shoqëron zhvillimin ekonomik të vendit dhe plotëson kërkesat e tregut për ta pasur. Prezantimi dhe hedhja e saj në qarkullim do të mundësojë një qarkullim më të mirë të parasë, duke ulur kostot e prodhimit, magazinimit dhe shpërndarjes, si dhe duke rritur efikasitetin e BSH. Gjithashtu, prezenca e kësaj prerje më të lartë rrit efikasitetin e BSH edhe për të administruar një stok, për të përballuar raste të rritjes së paparashikuar të kërkesës së tregut.”
Kartëmonedha 10,000 lekë mbart si tematikë simbolet kombëtare pasi shoqërohet me portretin e Aleksandër Stavër Drenova (Asdreni), poetit tonë të Rilindjes, autor i tekstit të “Himnit Kombëtar” të shqiptarëve. Ndërsa sa i përket kartëmonedhës 1000 lekëshe vjen me një dizajn të rifreskuar, duke pësuar ndryshime që lidhen me të gjitha elementët në tërësi, ndryshon ngjyrë në kënde të ndryshme shikimi, si dhe shiritin e ndritshëm në pjesën e pasme.
Si të gjitha prerjet e serisë së re përmbajnë elemente sigurie të avancuara, të prodhuara me teknologjitë më të fundit të fushës, të cilat lehtësojnë identifikimin nga publiku, rrisin besueshmërinë tek paraja kombëtare dhe e bëjnë më të vështirë falsifikimin. Gjithashtu janë integruar numrat, shkronjat, si dhe elementin e njohjes nga të verbrit, hologramën e shoqëruar me efekte të ndryshme optike.
Ndërkohë, në proces prodhimi janë kartëmonedhat 500 lekë dhe ajo 2000 lekë.