Saida Dollani është gjyqtarja që do të ketë në dorë të paktën të ardhmen e karrierës së Fatmir Mediut, si një politikan dhe personazh publik.
Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) ka kërkuar rinisjen e gjykimit për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, për dosjen e Gërdecit.
Mësohet se gjyqtarja që pritet ta shqyrtojë është caktuar Saida Dollani, pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit. Çështja do të shqyrtohet në dhomë këshillimi më datë 17 shtator ora 10:00.
Kjo është hera e dytë që SPAK kërkon rinisjen e gjykimit për Mediun. Edhe më herët, SPAK ka kërkuar të njëjtën gjë, por kërkesa është rrëzuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Gjyqtari Erjon Çela vendosi që të rrëzonte kërkesën e Strukturës së Posaçme kundër Korrrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Sipas vendimit të GJKKO, Prokuroria ka pasur 10 vite kohë që ta hetonte dosjen e Gërdecit, pasi ai nuk ka pasur imunitet. Po ashtu ka shtuar edhe faktin se për rinisjen e hetimeve, Prokuroria nuk ka depozituar prova të reja por është mjaftuar vetëm me një kërkesë.
SPAK e akuzon Mediun si një nga ish-zyrtarët përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit, me 26 të vrarë dhe qindra të plagosur.
/Priza.al/