‘Gërdeci’ i Fatmir Mediut fiton sërish! Përplasi 2 Gjykata, ja vendimi përfundimtar

Gjykata e Posaçme rrëzon kërkesën e SPAK, Fatmir Mediu nuk do rihetohet! Në vendimin e  GJKKO theksohet që Prokuroria ka pasur të gjitha mundësitë që ta hetonte lirisht Fatmir Mediun pasi ai që prej 2012 nuk ka pasur imunitet dhe vepra është parashkruar.

Ndër të tjera GJKKO “çmon që të evidentojë se edhe pse Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në të dy vendimet e tij ka theksuar se të drejtën për të kërkuar autorizimin për procedim sipas ligjit e ka vetëm prokurori, nga tërësia e akteve procedurale dhe e provave që ndodhen në dosjen gjyqësore konstatohet se që prej datës 14.09.2009 (data e shpalljes së vendimit të pushimit nga Gjykata e Lartë) e në vazhdim, organi i akuzës nuk i kërkoi përsëri Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj ish – deputetit Fatmir Mediu, mungesa e të cilit nuk lejonte vazhdimin e procedimit penal.

Gjithashtu, Gjykata çmon që të evidentojë se edhe pse kuadri kushtetues dhe ligjor përcakton se deputeti nuk gëzon imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij konstatohet se që prej vitit 2012  e në vazhdim (më shumë se 8 vjet), organi i akuzës nuk ndërmori hapat e  nevojshëm sipas ligjit për ushtrimin e ndjekjes penale megjithëse tashmë nuk ishte më e nevojshme që të kërkohej të jepej autorizimi nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.

Pra, nga vitit 2012 deri më datë 1 Gusht 2017 kur hynë në fuqi ndryshimet e K.Pr.Penale me Ligjin Nr. 35/2017, prokuroria nuk ka pasur asnjë pengesë që të rimerte të pandehur shtetasin Fatmir Mediu pa kërkuar autorizim për ndjekje penale apo të kërkonte rishikim të vendimit. Në kushtet kur prokuroria nuk e ka ushtruar ndekjen penale për një periudhë mbi dhjetë vjet edhe pse nuk ka pasur një pengesë të tillë, Gjykata çmon se ajo nuk mund të ushtrohet më tashmë bazuar në nenin 66 gërma “b” të Kodit Penal dhe në nenin 328 pika 1 gërma “d” të K.Pr.Penale“.

SPAK kërkoi rigjykimin e Fatmir Mediut lidhur me tragjedinë e Gërdecit, ku mbetën 26 persona të vrarë dhe qindra të plagosur, me argumentin se ai nuk ka më imunitet deputeti dhe mund të  përballet me drejtësinë.

Gjykata e Lartë vendosi t’ia dërgojë këtë çështje për kompetencë GJKKO-së, me arsyetimin se me ndryshimet e fundit ligjore në kuadër të reformës në drejtësi, i takon asaj ta shqyrtojë dosjen penale ndaj ish-zyrtarit të lartë.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *