‘Gërdeci’ i Fatmir Mediut / SPAK këmbëngul në rihapjen e çështjes, Gjykata e Lartë shpall moskompetencën

Çështja e Gërdecit ishte në duart e Gjykatës së Lartë dhe pritej të shqyrtohej pasi relator u caktua Ilir Panda, por procesi mori një tjetër rrjedhë. Gjykata e Lartë pushoi gjykimin për këtë dosje dhe e kaloi në kompetencën e GJKKO-së.

Ndërkaq sot, mësohet se Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka vendosur të shpallë moskompetencë për gjykimin e ish ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu për dosjen e Gërdecit. bëjnë me dije se Gjykata e Lartë nuk ka kompetencë të shqyrtojë kërkesën e Prokurorisë së Posacme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për rihapjen e çështjes.

Ndaj dosja e Gërdecit do t’i kalohet Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ku pritet dhe rinisja e hetimeve dhe për ish-ministrin Fatmir Mediu.

“Kolegji vlerëson se Gjykata e Lartë nuk ka kompetencë të marrë në shqyrtim kërkesën e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me subjekt revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale të Fatmir Mediut, e pushuar me vendimin nr.6, datë 14.09.2009, të Kolegjit të Gjykatës së Lartë, prandaj Kolegji vendos të shpallë moskomptencën lëndore dhe t’ia kalojë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në dokument.

Në fillim të muajit qershor, Gjykata e Lartë vendosi revokimin e vendimit që pengonte gjykimin e ish-ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu për dosjen e Gërdecit. Dokumentet i kaluan gjykatës speciale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Pritej vendimi i Gjykatës së Posaçme nëse do të linte në fuqi vendimin e 2009, apo do të çonte çështjen për gjykim. Ndërkohë avokati mbrojtës i tij Ardian Visha tha se mundësitë për ta rihapur çështjen janë zero, sepse gjykata e posaçme e shkallës se parë nuk mund të prishë një vendim të gjykatës së Lartë që në këtë rast është vendimi i pushimit të 2009.

Por tashmë gjykata e Posaçme duhet të mblidhet dhe të shprehet, nisur edhe nga kërkesat e fundit të familjes Durdaj. Në rast se kjo çështje hapet Mediu do të gjykohet në bazë të postit si ish ministër që ka mbajtur, ndërkohë që tashmë ai nuk gëzon më as mandatin e deputetit.

Shpërthimi në Gërdec

Konkretisht, në datën 15.03.2008, në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, në Tiranë, ku ushtronte aktivitetin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve luftarake shoqëria “Albademil” sh.p.k., ndodhën një seri shpërthimesh masive që sollën pasoja të rënda. Si rezultat i kësaj ngjarje u shkaktua vdekja e 26 personave, plagosja e rëndë e 27 personave, plagosja e lehtë e 109 personave, dëmtime të parëndësishme për 67 persona, si dhe dëmtime të tjera të paklasifikuara të 61 personave që janë trajtuar në spitale e qendra shëndetësore. Po kështu, kjo ngjarje solli pasoja dhe dëmtime të pasurive të ndryshme në total në vlerën 2.243.843.616 lekë, duke përfshirë pasuri të shtetasve dhe pasuri shtetërore e publike.

Lidhur me këtë ngjarje Prokuroria e Përgjithshme regjistroi procedimin penal nr.3 viti 2008 dhe ushtroi ndjekjen penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu në cilësinë e ish-Ministrit të Mbrojtjes, si dhe ndaj shumë personave të tjerë. Në përfundim të hetimeve paraprake, në datën 13.03.2009, Prokuroria e Përgjithshme paraqiti në Gjykatën e Lartë kërkesë për gjykimin e çështjes penale nr.3 viti 2008. Në këtë hetim shtetasi Fatmir Mediu u akuzua për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal, si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues, parashikuar në nenet 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak dhe neni 25 i Kodit Penal.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *