SPAK ka dërguar për gjykim ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, në lidhje me dosjen “Gërdeci”.
Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, SPAK bën me dije se ka nisur një hetim të ri, për 2 akuza, atë të korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Sipas SPAK, Fatmir Mediu akuzohet se në lidhje me procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish “Brigatës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, Bashkia Vorë, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave për trajtimin e municioneve.
Po ashtu, në njoftimin paraprak të dhënë nga Prokuroria, akuzohet Mediu ka dëmtuar kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit dhe kanë sjellë avantazhe të padrejta për shoqëritë “SAC inc” dhe “Albademil sh.p.k”. Por hetimet nuk janë ndalur me kaq, pasi janë “shtrirë” edhe në SHBA për të mësuar më shumë lidhur me procedurën e shitjes së municioneve nga Ministria e Mbrojtjes dhe ndërmarrjes “MEICO” ndaj shoqërive të huaja “Evdin” ltd, me seli në Qipro dhe “AEY”, me seli në Florida. Po ashtu, është kërkuar edhe një letër porosi për të marrë në pyetje të Efraim Diverolit, një emër ky i përmendur për kontratën me Ministrinë e shqiptare të Mbrojtjes.
Efraim Diveroli bleu nga Ministriae Mbrojtjes miliona dollarë municione kineze dhe i shiti në Afganistan sikur të ishin hungareze, nëpërmjet një sekseri të njohur nga të gjitha agjencitë inteligjente të botës si trafikant ilegal armësh. Licenca e Diverolit dhe firmës së tij AYE u bllokua vetëm pak ditë pas skandalit të Gërdecit në Shqipëri, e kishte shënuar në dokumente se municionet e kallashnikovit ishin prodhim hungarez i viteve 1965-1975. Kur në të vërtetë ishin prodhim kinez.
Fishekët ishin blerë në Shqipëri në bazë të disa kontratave me firmën shtetërore MEICO dhe për të fshehur origjinën shqiptare/kineze të armëve, Diveroli dhe zyrtarët shqiptarë kishin vendosur që t’i ripaketonin. Procesi i ripaketimit nisi me firmën e biznesmenit shqiptar Kosta Trebicka, i cili vdiq në vitin 12 shtator 2008, por më pas qeveria shqiptare preferoi të fuste në veprim Henri Tomein, person i njohur si trafikant ilegal armësh, i cili rriti artificialisht çmimin e armëve nga 18 në 42 dollarë për një arkë me municione. Këto para dyshohet se janë ndarë mes zyrtarëve shqiptarë, Diverolit dhe Henri Tomeit.
Por ende…deri më tani për këtë pikë të dosjes hetimet nuk kanë përfunduar, por është vendosur ndarja e çështjes penale. Në lidhje me këtë pikë të dosjes, që do të gjykohet “më vete”, Fatmir Mediu akuzohet se ka kryer veprat penale: “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore apo i të zgjedhurve vendore” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 260 dhe 287 të Kodit Penal.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, mbi bazën e vendimit nr.205, datë 24.09.2021 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë (që ka vendosur revokimin e vendimit nr.6, datë 14.09.2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë për pushimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu), ka rregjistruar proçedimin penal nr.279 viti 2021 dhe ka kryer hetimet paraprake lidhur me këtë proçedim penal.
Në përfundim të hetimeve paraprake është paraqitur në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesë për dërgimin në gjyq të çështjes penale nr.279 viti 2021, në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu, i akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal, si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues, parashikuar në nenet 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak dhe neni 25 i Kodit Penal.
I pandehuri Fatmir Mediu akuzohet se në lidhje me proçesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish “Brigatës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, Bashkia Vorë, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin dhe V.K.M Nr.138, date 14. 03. 2007 “Per proçeduren e trajtimit te armeve, teknikes dhe pajisjeve te forcave te armatosura, te hequra nga armatimi dhe perdorimi, persa i perket shitjes per çmontim dhe çmilitarizim te nje sasie municioni”, të cilat kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit dhe kanë sjellë avantazhe të padrejta për shoqëritë SAC inc dhe Albademil sh.p.k.
Gjatë hetimeve të këtij proçedimi penal janë kryer gjithashtu veprime të mëtejshme në lidhje me proçedurën e shitjes së municioneve luftarake nga Ministria e Mbrojtjes dhe ndërmarrja “MEICO” ndaj shoqërive të huaja “Evdin” ltd, me seli në Qipro dhe “AEY”, me seli në Florida.
Lidhur me këtë episod, hetimet paraprake nuk kanë përfunduar dhe është vendosur ndarja e çështjes penale, duke u rregjistruar proçedimi penal nr.279/1 viti 2023, për veprat penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore apo i të zgjedhurve vendore” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 260 dhe 287 të Kodit Penal.