I shumëkërkuari i drejtësisë shqiptare, Talo Çela mohon përfshirjen në grabitjen në Rinas përmes avokatit të tij. Mbrojtja e Talo Çelës ka deklaruar sot në gjyq se klienti i tij “e kishte të pamundur të merrte pjesë në grabitjen e Rinasit sepse ishte i sëmurë”.
“Kur ndodhi grabitja, Talo Çela kishte gruan sëmurë. Talo Çela, i paaftë fizikisht të merrte pjesë në grabitje, kishte probleme me gjurin”, mësohet të ketë deklaruar ndër të tjera avokati i tij në seancën gjyqësore këtë të hënë.
Avokati është shprehur më tej se me Talo Çelën s’ka asnjë kontakt dhe prokurën e ka nga vëllai Bujar Çela, para se ta ekzekutonin.
Ndërkohë që sot po mbahet në gjykatë seanca ndaj Talo Çelës për grabitjen e Rinasit, avokati kërkon kohë për të përgatitur kërkesat.
Më herët gazetarët e kronikës hodhën hije dyshimi se Talo Çela mund të ishte ekzekutuar por prania e avokatit mbrojtës në sallën e gjyqit ka shuar zërat që prej kohësh qarkullonin
Akuza ndaj Talo Çelës
Në 9 prill 2019 u grabit avioni me para në Aeroportin e Rinasit, ku gjatë ndjekjes u vra nga policia Admir Murataj, që u konsiderua nga Prokuroria si ‘koka’ e grabitjes. Me anë të një fugoni me mbishkrimin “Hetimi tatimor”, Murataj, bashke me të paktën 3 persona të tjerë, morën në momentin që po ngarkoheshin në avion 7 thasë me para.
Kush është Talo Çela?
Talo Çela është person i shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, pasi ish-Gjykata për Krimet e Renda Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e punonjësit të policisë” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Vrasja me paramendim, kryer në bashkëpunim”.
Çela është autori i dyshuar i ngjarjes së datës 9 prill 2019, ndodhur në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, në Rinas, Tiranë, ku persona të maskuar, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, kanë arritur të vjedhin një sasi të konsiderueshme vlerash monetare të cilat po ngarkoheshin në avion dhe më pas gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë, mbeti i vrarë njëri prej autorëve kryesorë të kësaj ngjarjeje. Gjithashtu ky ai dyshohet se fshihet pas atentatit me armë zjarri të 2 vëllezërit Haxhia në Durrës.