Depueteti i Kuvendit të Shqipërisë i dalë nga zgjedhjet e 25 prillit, Agron Gjekmarkaj ka thënë sërish se zgjedhjet parlamentare nuk do të njihen, pasi sipas Partisë Demokratike ato janë vjedhur.
Pas takimit të djeshëm në selinë blu me kreun e PD-së Lulzim Bashën, Gjekmarkaj ka deklaruar se do të bëjë gjithçka për të mërzitur kryeministrin. Gjekmarkaj tha se këto zgjedhje nuk do të njihen dhe nuk do të pranohen, por Parlamenti nuk do të lihet bosh nga Partia Demokratike.
“Ka një frymë të madhe zemërimi tek demokratët dhe qytetarët. Mendoj që shumë shpejt qytetarët dhe demokratët duhet të jenë kudo për t’u përballur me këtë hajdutëri të pazakontë të vjedhjeve në Shqipëri. Ne nuk do ta lëmë bosh Parlamentin, ne duhet të mbrojmë pozicionet tona. Duhet të mbrojmë përfaqësimin dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë madje dhe të asaj pjese që iu ble dhe iu trukua vota. Por, sigurisht këto zgjedhje nuk do të njihen nuk do pranohen, por Parlamenti nuk do të jetë bosh.
Këto zgjedhje nuk janë fituar sepse janë vjedhur. Këto zgjedhje nuk janë fituar se janë vjedhur. A ka vend për reflektim? Sigurisht ne kemi pritur fitore dhe për arsye teknike më saktë inxhinierike fitorja nuk erdhi dhe vend për reflektim ka, tek Zoti Basha tek unë tek të gjithë. Por nuk mendoj se lidershipi i zotit Basha vihet në diskutim. Tani nuk është koha të mos krijojë probleme artificiale dhe të spostojmë vëmendjen. Sepse kryeministri është i interesuar që debati të zhvillohet tek Partia Demokratike”, shpreh Gjekmarkaj për Top Channel.