Komandanti i përgjithshëm i NATO-s në Evropë, Todd Walters, ishte të mërkurën në Podgoricë në një vizitë lamtumire në Mal të Zi në përfundim të detyrës ku u prit nga presidenti malazez, Milo Gjukanoviç, dhe nga ministri i Mbrojtjes, Rashko Konjeviç.
Zyra e presidentit bëri të ditur se zoti Gjukanoviç falënderoi gjeneralin Walters për “angazhimin e tij për të bashkëpunuar me Malin e Zi duke kontribuar në mirëqenien pas pesë vitesh anëtarësim në NATO”, thuhet në njoftim.
“Në kontekstin e përkeqësimit të situatës së sigurisë në Evropë të shkaktuar nga agresioni rus kundër Ukrainës, Mali i Zi mbështeti aktivitetet e NATO-s që ndaluan agresionin e mëtejshëm duke zbatuar një strategji parandaluese dhe mbrojtëse, “ tha presidenti malazez Milo Gjukanoviç.
Komandanti i forcave amerikane në Evropë, Todd Walters, vlerësoi se Ballkani Perëndimor duhet të mbetet në qendër të vëmendjes së NATO-s dhe BE-së.
“Jemi të vetëdijshëm për ndikimet e ndryshme në Ballkanin Perëndimor, por ky rajon duhet të mbetet në qendër të vëmendjes si të NATO-s ashtu edhe BE-së,” tha Walters. Zoti Walters, vuri në dukje, se “Mali i Zi mund të jetë krenar për pesë vitet e fundit dhe arritjet e trupave ushtarake malazeze në misionet në Afganistan, Kosovë, Letoni dhe Irak”, thuhet në njoftimin e zyrës së presidencës së Malit të Zi./VOA