Një 28-vjeçare shqiptare e Kosovës ka ndërruar jetë si pasojë e dhunës së ushtruar nga ish-bashkëshorti i saj, po nga Kosova. Ngjarja e rëndë ndodhi në parkingun e një marketi në Aachen të Gjermanisë, mbrëmjen e së shtunës.
Disa orë më vonë në polici u dorëzua 37-vjeçari, ish-bashkëshorti i të ndjerës, që dyshohet se e vrau atë, raporton “Bild”.
Kryeprokurorja e Aachenit, Katja Schleknermann-Pitts bëri të ditur se bëhej fjalë për një çift që ishin ndarë. Ajo ka thënë se nuk dihen ende motivet e vrasjes.
Krimi ndodhi rreth orës 19:00 të së shtunës në mbrëmje, në sy të klientëve. Policia kishte rrethuar vendin e krimit dhe zonën përreth.