Gjermania thirri ambasadorin rus dhe dëboi dy diplomatë pasi operativi i dyshuar i FSB-së u shpall fajtor për vrasjen e vitit 2019 që ndodhi në qendër të Berlinit.
Kujtojmë se një gjykatë në Berlin dënoi sot me burgim të përjetshëm shtetasin rus, Vadim Krasikov për vrasjen e çeçenit, Zelimkan Kangoshvili në vitin 2019 në një park të kryeqytetit gjerman.
Prokurorët besojnë se Krasikov ka vepruar me urdhër të agjencisë ruse të sigurimit shtetëror FSB. Gjatë gjyqit, ata demonstruan gjerësisht se si autoritetet ruse ranë dakord për pseudonimin Vadim Solokov për Krasikov, si dhe se ai udhëtoi nëpër disa kufij evropianë nën atë identitet në ditët para vrasjes, raporton dw.
Viktima e tij, një çeçen etnik me kombësi gjeorgjiane, u vra nga afër në mes të ditës më 23 gusht 2019. Krasikov u arrestua më vonë atë ditë.
Cili ishte reagimi në Berlin dhe Moskë?
Pas vendimit të së mërkurës, ministrja e re e Jashtme e Gjermanisë Annalena Baerbock tha se ministria e saj kishte thirrur ambasadorin rus Sergei Nechayev.
“Ne i thamë atij se dy anëtarë të stafit të ambasadës do të shpalleshin persona non grata,” tha Baerbock.
Ajo e përshkroi vrasjen si “vrasje me kontratë shtetërore” që shkelte rëndë ligjin gjerman dhe sovranitetin e Gjermanisë.
Baerbock tha gjithashtu se foli me homologun e saj rus Sergej Lavrov dhe theksoi se Berlini “dëshiron dhe ka nevojë” të ketë një dialog të hapur dhe të ndershëm me Moskën.
“Kjo duhet të bazohet në të drejtën ndërkombëtare dhe respektin reciprok”, shtoi ajo.
Duke komentuar vendimin e së mërkurës, Moska tha se ishte një vendim “politik” në sfondin e “ndjenjës së përgjithshme anti-ruse”.
“Ne e konsiderojmë këtë vendim si një vendim të njëanshëm, të motivuar politikisht që përkeqëson seriozisht marrëdhëniet tashmë të vështira ruso-gjermane”, tha rus Nechayev.
Ai i quajti “absurde” pretendimet për përfshirjen ruse.
Ambasadori tha gjithashtu se vendimi i gjykatës ishte “një veprim dukshëm jomiqësor” që “nuk do të kalojë pa përgjigje”.
Kush ishte në shënjestër?
Viktima u konsiderua terrorist nga shërbimet ruse të sigurisë – ai u akuzua se luftoi si kryengritës kundër forcave ruse në Çeçeni dhe më vonë për përfshirje në një sulm me bomba në metronë e Moskës.
/Burimi: DW/ Përshtati: Priza.al/