Si pjesë e reformave të emigracionit në Gjermani, në vend të tetë vjetëve, siç është aktualisht, shtetësia do të merret pas pesë vitesh qëndrimi në Gjermani
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Maximilian Kall, ka deklaruar se planet e qeverisë për përshpejtimin e procesit të natyralizimit që ta bëjë më të lehtë për emigrantet të bëhen shtetas gjerman po përparojnë dhe janë “pothuajse gati”.
“Projektligji për modernizimin e ligjit të shtetësisë është duke u përgatitur në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe gjithashtu është pothuajse gati që shpejti të votohet brenda qeverisë”, u tha Kall gazetarëve në Berlin.
“Kjo qeveri federale e sheh Gjermaninë si një vend të larmishëm imigrimi, si një shoqëri të larmishme imigrimi. Ne duam të mundësojmë shtetësinë e shumëfishtë dhe të thjeshtojmë procesin e marrjes së shtetësisë gjermane. Natyralizimi në përgjithësi duhet të jetë i mundur pas pesë vjetësh, ndryshe nga e kaluara,” shtoi ai.
Si pjesë e reformave të imigracionit në Gjermani, njerëzit që prej disa vitesh kanë jetuar në vend do të kenë mundësi të bëhen më lehtë shtetas gjermanë. Në vend të tetë vjetëve, siç është aktualisht, shtetësia do të merret pas pesë vitesh qëndrimi në Gjermani.
Në rastin e “arritjeve të veçanta të integrimit”, marrja e shtetësisë pritet të jetë e mundur edhe pas tre vjetësh, për shembull nëse emigrantët kanë treguar arritje të veçanta akademike ose profesionale ose angazhim vullnetar ose posedojnë aftësi veçanërisht të mira gjuhësore.Fëmijët e lindur në Gjermani nga prindër të huaj do të bëhen automatikisht gjermanë nëse njëri prind ka “qëndrim të rregullt të ligjshëm” në Gjermani për pesë vjet. Deri më tani, kjo ka qenë e mundur vetëm pas tetë vjetësh.
Për të moshuarit që janë më të vjetër se 67 vjeç, ministrja e Punëve të Brendshme, Nancy Faeser, dëshiron të heq certifikatat zyrtare të gjuhës, të cilat janë kërkuar më parë.
Reforma e ligjit të shtetësisë gjermane dhe migracionit ishte një nga pikat kyç të marrëveshjes së koalicionit për formimin e qeverisë midis socialdemokratëve të kancelarit Olaf Scholz, të Gjelbërve dhe Demokratëve të Lirë.
Burimi:AA