Propozimi i qeverisë për zgjatjen e të misionit të KFOR-it në Kosovë ka marrë mbështetjen jo vetëm të koalicionit në pushtet të përbërë nga tre parti: SPD, të Gjelbërit dhe Liberalët, edhe partitë opozitare kristiandemokrate CDU dhe CSU gjithashtu e përkrahën nismën.
“Na duhet një KFOR-i i aftë për veprim për të reduktuar potencialin e vazhdueshëm për konflikte dhe përshkallëzim në veri të Kosovës dhe në kufirin me Serbinë”, tha përfaqësuesi i demokristianëve në Bundestag, përgjegjës për politikën e mbrojtjes, Florian Hahn (CSU).
Vazhdimi i pjesëmarrjes së Gjermanisë në misionin e BE-së EUFOR Althea në Bosnjë-Hercegovinë u miratua edhe nga përfaqësues të partisë së ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD).
Vendimi përfundimtar për propozimin e qeverisë gjermane për zgjatjen e të dy mandateve duhet të merret javën e ardhshme. “Ballkani Perëndimor është fqinjësia jonë e afërt. Prandaj, ruajtja e paqes në këtë rajon është përgjegjësia jonë”, theksoi Sekretarja e Shtetit për Mbrojtjen Siemtje Möller (SPD).
Në propozimin e qeverisë thuhet se bazë për misionin e KFOR-it “është ende Rezoluta 1244 (1999) e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara” dhe thekson se “si Kosova ashtu edhe Serbia e kanë bërë gjithmonë të qartë se duan vazhdimin e pranisë së KFOR-it”.
Misioni i NATO-s në Kosovë, i cili po vazhdon prej 25 vitesh, është angazhimi më i gjatë i Bundeswehrit jashtë vendit. Numri maksimal i pjesëtarëve të njësive gjermane të veprimit të shpejtë do të mbetet në 400.