Qeveria Federale e Gjermanisë do të pezullojë përgatitjen e katër projekteve të infrastrukturës për entitetin Republika Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë, në shumën prej 105 milion euro, konfirmoi Ministria e Punëve të Jashtme e Bosnjë e Hercegovinës për Radion Evropa e Lirë.
Informacioni iu përcoll kësaj ministrie nga Ambasada e Gjermanisë në Bosnje e Hercegovinë.
Në letër thuhet se projektet do të pezullohen derisa të hiqen vendimet e Asamblesë Kombëtare të Republikës Sërpska, të 10 dhjetorit 2021 dhe 10 shkurtit 2022, si dhe deri në përfundimin e bllokadës aktuale të institucioneve shtetërore.
Bëhet fjalë për vendimet e Asamblesë Kombëtare të Republikës Sërpska për të ashtuquajturin transferim të kompetencave nga shteti në nivel entiteti dhe vendimi dhe për miratimin e Ligjit për pasurinë e paluajtshme, e cila shfrytëzohet për funksionimin e autoriteteve publike në Republikën Sërpska.
Ligji u pezullua me një vendim nga Përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt, më 12 prill, sepse, sipas ligjit aktual, njësitë nuk mund të menaxhojnë pronën shtetërore.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska vendosi që qeveria e këtij entiteti ka gjashtë muaj afat për të paraqitur në parlament ligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar, ligjin për akcizat, ligjin për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Republikës Sërpska, si dhe ligjet për mbrojtjen dhe sigurinë.
Këto janë kompetencat e shtetit të Bosnjë e Hercegovinës, për të cilat Republika Sërpska pretendon në mënyrë të paarsyeshme se duhet të jenë në juridiksionin e entitetit. Kushtetuta e Bosnjë e Hercegovinës nuk e lë një mundësi të tillë.
Veprimet në entitetin Republika Sërpska, për të krijuar institucione paralele, janë dënuar njëzëri nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Politikanët nga Republika Sërpska kanë bllokuar institucionet shtetërore të Bosnjë e Hercegovinës që nga fundi i korrikut 2021, kur ish-Përfaqësuesi i Lartë, Valentin Inzko miratoi amendamentet në Kodin Penal të Bosnjë e Hercegovinës dhe vendosi se ishte krim mohimi i gjenocidit, si dhe i aktvendimeve për krime të luftës të sjella në Gjykatën Ndërkombëtare e Hagës dhe nga gjykatat vendore të Bosnjë e Hercegovinës.
Për çfarë projektesh bëhet fjalë?
Siç thuhet, bëhet fjalë për projektet Rehabilitimi i HE Trebinje IV, Rehabilitimi i HE Trebinje faza III, Ferma me erë Hërgud dhe Furnizimi i ujërave të zeza Gradishka.
Qeveria Federale e Gjermanisë, siç theksohet në letër, qëndron fuqishëm në anën e Bosnjë e Hercegovinës dhe është e gatshme të zgjerojë bashkëpunimin dhe të intensifikojë mbështetjen për proceset e afrimit të Bosnjë e Hercegovinës kah Bashkimi Evropian.
Gjithashtu, siç u tha, qeveria federale do të kundërshtojë me vendosmëri çdo destabilizim politik dhe ekonomik të Bosnjë e Hercegovinës, përmes aspiratave separatiste./REL