Ministria e Jashtme e Gjermanisë i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të marrë vendim për t’u ndaluar hyrjen në vendet e bllokut, si dhe ngrirje të pronave, atyre që janë përgjegjës për shtypjen brutale të protestave antiqeveritarë në Iran.
Protestat më të qëndrueshme ndër vite kundër teokracisë së Iranit kanë hyrë tashmë në javën e katërt të tyre. Ato shpërthyen më 17 shtator, pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini, një vajze kurde, e cila vdiq në paraburgim. Mahsa Amini u arrestua nga e ashtuquajtura policia e moralit, nën dyshimet se kishte shkelur kodet e rrepta islame për veshjen e grave e vajzave.
Protestat janë përhapur tashmë në të gjithë vendin dhe po përballën me një goditje të ashpër, që sipas vlerësimeve ka shkaktuar dhjetëra të vrarë e qindra të arrestuar.
“Ata që rrahin gratë dhe vajzat në rrugë, e ndalojnë në mënyrë arbritrare ata që veçse kërkojnë të jetojnë të lirë duke i dënuar me vdekje, qëndrojnë në anën e gabuar të historisë”, citohet të ketë thënë ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock për gazetën ‘Bild am Sonntag’.
“Ne do të bëjmë të mundur që BE-ja t’u ndalojë hyrjen atyre që janë përgjegjës për këtë shtypje brutale e të ngrijë pronat e tyre në BE”, shtoi ajo.
“U themi njerëzve në Iran: Ne qëndrojmë dhe mbetemi pranë jush”.
Por zonja Baerbock nuk përmendi ndonjë individ apo organizatë specifike që Gjermania kërkon të ndëshkohet përmes sanksionesh.
Të enjten, ligjvënësit e BE-së miratuan një rezolutë ku kërkohej vendosja e sanksioneve kundër përgjegjësve për vdekjen e Mahsa Aminit dhe për shtypjen e dhunshme të protestave./VOA/