Damian Gjiknuri e ka nisur ditën me një video ku u bën thirrje qytyetarëve të qarkut të Elbasanit të dalin masivisht në votime për të shprehur vullnetin mbi bashkitë e tyre. Ai u shpreh i bindur se qytetaria do të mbizotërojë procesin zgjedhor deri në përfundimin e tij.
“Unë dua t’u bëj një thirrje të dilni masivisht në votim, të merrni pjesë për të vendosur për fatin e bashkive tuaj. Gjatë kësaj fushate, e cila ka qenë një fushatë shumë e qetë dhe shumë qytetare, kemi pasur mundësi të bashkëbisedojmë me njëri tjetrin, patjetër të gjitha palët kanë shprehur pikëpamjet dhe opinionet e tyre.
Ajo çka fitoi në këtë fushatë deri tani ka qenë qetësia, maturia dhe qytetaria. Shpresoj të vazhdoj kështu deri në fund dhe të gjitha strukturat zgjedhore të zbatojnë ligjin deri në fund për të përmbyllur një fushatë të mrekullueshme që i ka pasur hije këtij qarku dhe mendoj që duhet të kurorëzohet më së miri deri në momentin e fundit ku të dalin rezultatet zgjedhore, dhe ku shpresoj që të gjitha palët t’i pranojnë ato. Ajo që është e rëndësishme në këto zgjedhje është të vendosni për fatet e familjeve dhe komuniteteve tuaja dhe ku mendoj që çdo shqiptar do të dijë të bëjë zgjedhjen e duhur për të ecur përpara”, tha Gjiknuri.