Marshimi i qytetarëve që marrin pjesë në protestën e organizuar nga opozita, ka vijuar pranë selisë së Partisë Socialiste. Kreu i PD-së Sali Berisha iu dërgoi një mesazh socialistëve të ndershëm siç tha ai duke i thënë se ata nuk i lidh asnjë me politikanët e korruptuar të PS-së. Kreu i Partisë Demokratike theksoi se selia rozë është shndërruar në selinë e së keqes nga një grup kriminal i kryesuar nga Rama.
Ndër të tjera, Berisha denoncoi se deputetit Damian Gjiknuri ‘i kanë humbur 6 milionë euro.’
Fjala e Berishës:
“Së pari për një mesazh paqësor për të gjithë socialistët e ndershëm shqiptarë. Kërkoj mirëkuptimin e tyre, i siguroj se aq sa kanë ata respekt për votën e tjetrit, aq ka Sali Berisha respekt për ta. Kjo ndërtesë është shndërruar në selinë e së keqes nga një grup kriminal i kryesuar nga Rama, i cili me lidhjet e tij me bandat, me krimin, iu ka shkaktuar shqiptarëve dramën më të madhe, ka përzënë nga vendi nga viti 2014, mbi 700 mijë shqiptarë.
Edi Rama me piramidën e krimit dhe të drogës nuk është i vetëm. E kam denoncuar vazhdimisht. Ai që kryeson grupin parlamentar është një trafikant i shpifur, i cili merrej në Rumani duke nxjerrë viza prostitutave rumune. Është një njeri që merret me trafiqe, i del emri në regjistrimet e shumë grupeve kriminale, çfarë i lidh socialistët me ta? Ata nuk mbrojnë interesat e socialistëve”, deklaroi Berisha.
Ai tha se ata mbrojnë vetëm interesa kriminale të pasurimit të tyre. “Merr Gjiknurin, Gjiknur gurunë… të nderuar socialist të ndershëm, nëse Alda Klosi ju gjetën 700 mijë euro, Damianit tuaj, zëdhënësi i interesave ruse, i kanë humbur 6 mln euro bashkë me nënën e tij. Vendi i tij është në burg. Balluku paguan me lekët tuaja një biftek një mijë euro. Xhaçka me çfarë merite e bëri burrin investitor strategjik? E ëma e saj e saj ka qenë në ndjekje penale për trafik fëmijësh, me birësime. Këshilltari i saj, Josifi, i ka vjedhur 2.2 mld euro pensionistëve europianë me call center. Sa ka marrë Olta, Olsi, Rama? Do ta sqarojë drejtësia. Çfarë ju lidh ju socialistë më këta? Prandaj erdha këtu, merreni si një mesazh. Këta e kanë vendin në burg”