Një 54-vjeçar është vënë në pranga pasi është kallëzuar nga një 36-vjeçare se ky shtetas e ka përndjekur dhe i ka dhunuar banesën. 54-vjeçari Xh.M., gjithashtu nuk i është bindur urdhrit të policisë për të ndaluar.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Përmet arrestuan në flagrancë shtetasin Xh. M., 54 vjeç, banues në fshatin Katundisht, Përmet, pasi ka kallëzuar një 36-vjeçare, se ky shtetas e ka përndjekur dhe i ka dhunuar banesën. 54-vjeçari nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndaluar automjetin me të cilin tentoi t’u shmangej shërbimeve. Në vijim të veprimeve për këtë rast, ka rezultuar se shtetasi Xh. M. e drejtonte automjetin, në gjendje të dehur”, thuhet në njoftim.
Ndër të tjera policia e Gjirokastrës ka vënë në pranga 15-vjeçarin K.Ll pasi u kap duke udhëtuar në shkelje të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, e cila i kishte caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Por gjithashtu ka rezultuar se i mituri është edhe autor i një grabitjeje të ndodhur në një lokal në lagjen “Varosh” , ku ka grabitur një shumë parash.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasin K. Ll., 15 vjeç, pasi u kap duke udhëtuar nga Gjirokastra, në drejtim të Tiranës, në shkelje të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, e cila i kishte caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Gjithashtu, nga veprimet hetimore të kryera, rezulton se shtetasi i mësipërm është autor i vjedhjes me thyerje, në një lokal, në lagjen “Varosh”, ku ka marrë një shumë parash dhe produkte të ndryshme (pije), ngjarje kjo, e ndodhur ditën e djeshme”, thuhet në njoftimin e policisë.